Miratohet ligji për turizmin, Komisioni rrëzon Presidentin

15/09/2015 15:25

Deputetët në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese rrëzuan dekretin e Presidentit që ktheu për rishqyrtim projektligjin për turizmin.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, duke iu referuar argumentimit të Presidentit se ky projekt ligj bie në kundërshtim me prokurimet publike, thotë se nga ky proces përjashtohen vetëm projektet për promovimin e Shqipërisë jashtë vendit.

“Kemi dashur me kohë, por nuk kemi arritur dot sepse na ka penguar ligji i prokurimit, të bëjmë promovimin e Shqipërisë në disa televizione në Çeki, Poloni, Suedi, Danimarkë, Itali, Gjermani, Francë. E kemi të pamundur”, deklaroi ministri Ahmetaj.

“A krijon ligji i prokurimit pengesë, vështirësi për atë që është investitor, në këtë rast enti shtetëror përkatës? Sigurisht! Është një e keqje e domosdoshme. Pse nuk ka ndryshuar ligji i prokurimit? Atje thuhet që ka përjashtim edhe për turizmin për këto lloje projektesh”, replikoi anëtari i PD-së në Komision, Genc Ruli.

Ligji i ri, në argumentimin e Presidentit cënon parimin e decentralizimit të pushtetit vendor kur parashikon transferimin e pasurive të pushtetit lokal në zonat me përparësi turizmin, tek pushteti qendror dhe atë të sigurisë juridike, kur nuk përcakton kushtet e vënies së pasurive shtetërore në dispozicion të investitorëve për 99 vjet me kontratën simbolike 1 euro.

Top Channel