Emigrantët, Europa përforcon kufijtë

15/09/2015 15:25

Pas Gjermanisë, Austrisë e Sllovakisë, edhe Holanda vendosi rikthimin e kontrolleve në kufijtë e saj me qëllim frenimin e valës së emigrantëve.

Pohimin, sipas mediave holandeze, e bëri ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë, Klaas Dijkhoff. Nga ana tjetër, edhe Franca, sipas ministrit të Brendshëm, Bernard Cazeneuve, do ta shqyrtojë mundësinë e kontrolleve në vijën kufitare me Italinë nëse ka përkeqësim të situatës.

E ndërsa vendet europiane kanë nisur të lëvizin me masa që synojnë shkurajimin e valës së azilkërkuesve, dyndja vazhdon sa nga toka, ashtu edhe nga deti. Paraditen e së martës, një varkë me emigrantë e nisur nga Turqia drejt Greqisë, u fundos duke marrë 22 jetë njerezish; katër prej tyre fëmijë.

Që prej mesnatës së të hënës, në Hungari kanë hyrë në fuqi ligje të rrepta anti-emigrantëve dhe në dy rajone kufitare me Serbinë, Budapesti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Por ende pa nisur mirë zbatimi i legjislacionit të ri, kush mundi nga emigrantët nxitoi të nisej drejt Austrisë duke e marrë rrugën në këmbë.

Policia austriake ankohet se po i shterojnë kapacitetet akomoduese. Për të sistemuar të ardhurit, nuk ka më vend as në kampet fushore të improvizuara pranë kufirit e as në parkingjet e makinave nëpër stacione hekurudhore.

“Mungesa e unitetit të brendshëm do të ketë një ndikim shumë negativ mbi besueshmërinë e Europës jashtë kufijve të saj-, deklaroi në Parlamentin Europian, Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, – ne nëpër botë ende shihemi si kampionë të mbrojtjes së të drejtave të njeriu, –  kujtoi ajo – , për këtë arsye veprimi i brendshëm për bllokun europian, është po aq i rëndësishëm sa i jashtmi”.

Top Channel