Polemika mes Benitezit e Gerrard, shkak autobiografia e lojtarit

15/09/2015 00:00

Steven Gerrard dhe Rafael Benitez janë përfshirë në polemika me njëri-tjetrin, e shkak për këtë u bë libri autobiografik i ish-kapitenit të Liverpoolit.

Gerrard, që tashmë është pjesë e Los Angeles Galaxy, ka treguar në librin e tij disa nga momentet e përjetuara në periudhën 2004-2010, kur trajner i Liverpoolit ishte pikërisht Benitez.

“Nuk e pëlqeja Benitezin si person – shkruan Gerrard në autobiografinë e tij. – Nuk e di përse, por kjo ishte përshtypja që më krijohej. Mund të flas në telefon me të gjithë trajnerët e mëparshëm, me të cilët kam punuar te Liverpooli, përveç Benitezit. Largimi i Xabi Alonsos nga ekipi anglez ishte lëvizja më e gabuar e bërë nga klubi, e për këtë fajtor ishte Benitezi”, thotë ish-lojtari i kombëtares së Anglisë.

Kundërpërgjigjja e trajnerit të Realit të Madridit ishte e menjëhershme, edhe pse me një deklaratë të shkurtër.

“Gerrard gabohet – tha Benitez. – Me gjithë respektin që kam për të, Liverpoolin e tifozët e kësaj skuadre, mendoj se është më mirë që të mos merren parasysh deklarata të tilla. Ai publikoi një libër dhe unë tani jam trajner i Realit të Madridit. Kjo bën që të shtohen shitjen e kësaj autobiografie”, tha trajneri spanjoll i “Los Blancos”-ve.

Top Channel