Kosovë, themelohet me ligj fondi për garancitë kreditore

15/09/2015 16:55

Komisioni parlamentar për Zhvillimin Ekonomik, Infrastrukturën, Tregtinë dhe Industrinë ka proceduar për në seancë projektligjin për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, i cili synon garantimin e bizneseve për marrjen e kredive në bankat tregtare.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, gjatë prezantimit të projektligjit para komisionit parlamentar tha se, fondi do të ketë një bord mbikëqyrës dhe do të monitorohet nga Banka Qendrore e Kosovës.

“Qëllimi i këtij projektligji është të rritet mundësia e financimit për kategoritë e caktuara të bizneseve, të cilat e kanë të vështirë të marrin financim nga bankat. Këtu e kemi fjalën, në radhë të parë, për bizneset e grave, fermerëve, të prodhuesve vendas, të ndërmarrësve, të cilët dëshirojnë të fillojnë aktivitetin e tyre për herë të parë, si dhe atyre që dëshirojnë të zgjerojnë aktivitetet e tyre”, tha Hykmete Bajrami, ministre për Tregtinë dhe Industrinë.

Ministrja Bajrami tha se, me themelimin e fondit, donatorët e jashtëm kanë premtuar ndihmë në një vlerë prej 20 milionë dollarësh amerikanë, si asistencë teknike dhe kapital fillestar për fondin.

“Fondi llogaritet që, në 6 vitet e para do ta rrisë kredidhënien në rreth 360 milionë euro. Pritet gjithashtu që, nga këto hua të reja, të krijohen rreth 20 mijë vende të reja pune”, tha Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillimin Ekonomik, Muhamet Mustafa tha se, te fondi që pritet të krijohet, duhet të kenë qasje edhe të rinjtë, që hapin biznese për herë parë.

“Ky ligj mund t’i mbështesë me garancitë përkatëse edhe ndërmarrjet, e bizneset që fillojnë, apo ‘start up’-et. Janë pikërisht këto, që kanë problemet më të mëdha për të marrë kredi”, tha Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit parlamentar për Zhvillimin Ekonomik.

Deputeti i PDK-së, Besim Beqaj tha se ideja për formimin e fondit ka nisur në qeverinë e kaluar, para 3 viteve, e deri më tani ka qenë në fazë testuese në sektorin e bujqësisë. Por, ai tha se duhet të bëhen analiza të mirëfillta, për të parë sesa do të ndikojë në kredi ky fond.

“Është shumë mirë të kemi analizën financiare se, ato një milion euro që janë nga buxheti, sa do të mobilizojnë kredira dhe sa do të mobilizojnë investime”, tha Besim Beqaj, deputet i PDK-së.

Pas diskutimeve me ministren Bajrami, deputetët miratuan projektligjin, ndërsa ndërmjet dy leximeve në Kuvend thanë se do të bëjnë përmirësimet e nevojshme.

Top Channel