Asgjësohen 1200 rrënjë kanabis në Mat

15/09/2015 18:20

1200 rrënjë kanabis sativa janë asgjësuar nga policia e Matit në njësinë administrative Baz në Bashkinë e Matit. Sipas policisë lokale, ky  është numri më i madh i bimëve narkotike të asgjësuara njëherësh nga Policia e Matit gjatë këtij sezoni dhe se kultivuesit i janë përkushtuar me kohë të plotë bimës së ndaluar, pasi në afërsi të parcelave të mbjella u gjetën edhe enë kuzhine, ku ata ushqeheshin gjatë kohës që i shërbenin bimës.

Gjithashtu, në vendngjarje policia gjeti edhe mjetet për vaditje, siç ishte një gjenerator dhe një elektropompë për transportimin e ujit.

Ndërkaq, grupi hetimor ka nisur hetimet për gjetjen e autorëve të cilët kanë kultivuar bimën e ndaluar, pasi ishte e mbjellë në tokë pa pronarë.

Pak ditë më parë, Policia e Matit ka asgjësuar një sasi të konsiderueshme të bimëve narkotike në zonën e Ulzës, ku edhe ajo ishte mbjellë në tokë pa pronar.

Lufta ndaj narkotikëve ka qenë prioritet i Policisë së Shtetit këtë vit, duke bërë që të arrijë të asgjësojë me mijëra rrënjë bimësh në të gjithë vendin.

Top Channel