Ato konsiderohen si mamatë e dyta, më të afërtat dhe të dashurat e një fëmije. Por jo gjithmonë zgjedhim dadot e duhura. Në shumë raste, ato kthehen në dhunueset më çnjerëzore të të vegjëlve që ushqejnë dhe rrisin.

Pak ditë më parë, një dado nga Shkupi i Maqedonisë u regjistrua nga kamerat që ndodheshin në shtëpi, teksa shante e qëllonte foshnjën 10-muajshe. Ishin vetë prindërit, të cilët, pas dyshimeve të ardhura nga disa shenja në trup të fëmijës, kishin vendosur të instalonin kamerat e sigurisë në dhomën e ndenjes. Nga pamjet rezultoi se 65-vjeçarja kapte në fyt dhe qëllonte foshnjën, pasi po bezdisej nga të qarat e saj, ndërkohë që shihte televizor.

Një grua nga Libani u akuzua për abuzim me fëmijën 2 vjeç, që kishte nën kujdestari. 22-vjeçarja Casey Elizabeth Thompson u denoncua nga e ëma e fëmijës, të cilit ekspertiza i gjeti dëmtime në kokë, gërvishtje në fytyrë, të nxira në kyçe e në të gjithë pjesët e trupit. Dadoja e re u vu nën akuzë dhe u gjykua gjatë një procesi të veçantë gjyqësor, i pari i këtij lloji në shtetin libanez.

Pak kohë më parë, videoja e një dadoje në Uganda, që dhunonte një fëmijë 2 vjeç, shokoi përdoruesit e internetit në mbarë botën. Jolly Tumuhirwe u duk në video teksa përpiqej të ushqente fëmijën, por pa sukses. Në momentin kur fëmija ka nisur të qajë, 22-vjeçarja ka nisur ta qëllojë e ta shtrëngojë në fyt.

Ngjarja më ekstreme e dhunës së dadove është ajo e Louise Woodward, e vitit 1997. Ajo u akuzua për rrahjen me pasojë vdekjen e fëmijës 8-muajsh, Matthew Eappen, në Newton të Massachusettsit, në SHBA. Juria e dënoi atë me vrasje të shkallës së parë, ndërkohë që procesi gjyqësor ndaj Woodward u mbulua gjerësisht nga media britanike dhe ajo botërore.

Top Channel