Kryeministri Edi Rama, vizitë në Pulja të Italisë

15/09/2015 18:45

Në një vizitë të zhvilluar në Pulja të Italisë, Kryeministri Edi Rama është takuar me Presidentin e këtij rajoni, Mikele Emilio, i cili ofroi bashkëpunimin maksimal të rajonit në fushat e turizmit, tregtisë, transportit dhe ujit.

Pas një vizite në Fiera del Levante, Kryeministri Rama dhe autoritetet vendore përuruan rrugën “Shqipëria”, ndërkohë që më pas, Kryeministri mori pjesë në një bashkëbisedim me gazetarë të gazetave më prestigjioze në Itali. I pyetur lidhur me emigracionin e shqiptarëve në fillim të viteve ‘90 në Itali, Rama u shpreh se ajo tashmë i përket të shkuarës.

“Sot, ai imazh apokaliptik i para 25 vjetëve që qarkulloi në mbarë botën, me anijen më të mbushur në historinë e lundrimit, me shqiptarë që derdheshin në brigjet puljeze, duket se i përket një epoke tjetër gjeologjike. Dhe të gjithë ata që në momentin e mbërritjes së anijes krijuan një shqetësim të madh dhe shumë frikë janë integruar më së miri dhe kontribuojnë në PBB-në italian me një shumë që arrin 3.2 miliardë Euro taksa. Këto janë të dhëna zyrtare të 2014-ës. Nga kjo pikëpamje, mendoj se shqiptarët janë integruar plotësisht dhe emigracioni ynë ka hyrë në librat e historisë që na mëson se emigracioni është gjithnjë një burim rritjeje si për vendin e origjinës ashtu edhe për vendin pritës”, tha Rama.

Por Rama ka shtuar se tashmë gjërat kanë ndryshuar shumë, sigurisht dhe se sot janë më shumë se 20 mijë italianë që punojnë në Shqipëri. Gjithashtu, Kryeministri Rama shtoi se pavarësisht janë të shumta ndërmarrjet italiane në Shqipëri, duhet të bëhet më shumë sidomos në nivel të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe rajonit të Puljas.

Top Channel