Çështja “Anagnosti”, babai ngre padi ndaj mjekoligjorëve

15/09/2015 00:00

Kostandina Anagnosti, 16-vjeçare, humbi jetën në rrethana misterioze në fshatin Metoq të Sarandës. Më 14 nëntor, vajza kishte hyrë nga Greqia për në Shqipëri, nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Botës, e pashoqëruar nga asnjëri prej prindërve, të divorcuar prej shumë kohësh.

Taksisti Spiro Papa ka qenë personi, me të cilin Kostandina ka udhëtuar përgjatë gjithë rrugës, e më pas ka qëndruar pjesën më të madhe të kohës në Sarandë. Ajo ka fjetur një natë në fshatin Dërmish, te gjyshja e saj, të nesërmen ka kaluar disa minuta në Parukeri, e më pas i është nënshtruar një vizite te dentisti.

Gjithçka pas atij momenti mbetet mister, deri kur vajza u dërgua e pajetë në spitalin e qytetit nga taksisti Papa. Vdekja u konkludua se ishte natyrale dhe, pas dërgimit të trupit në Janinë, i ati kërkoi riekspertimin, pas dyshimeve të lindura se e bija mund të kishte vdekur si pasojë e një aborti.

Një grup ekspertësh nga Tirana, tashmë të paditur nga familjarët, arritën në përfundimin se vdekja kishte ardhur si pasojë e një arresti kardiak. Ndërkohë, një tjetër version kanë dhënë mjekoligjorët e Janinës, të cilët kanë arritur në përfundimin se kampionët e dërguar nga Instituti Mjekoligjor shqiptar kanë qenë shumë të dëmtuar.

Pikërisht për këtë arsye, sipas kallëzimit të familjarëve, ekspertët grekë kanë kryer analizën e ADN-së, nga ku ka rezultuar se kampionët e gjakut janë të viktimës, ndërsa organet nuk i përkasin Kostandina Anagnostit.

Top Channel