OSBE në Vjenë: Raporti, një rutinë. Nuk është qëndrimi ynë zyrtar

15/09/2015 19:40

Pas publikimit në media pak ditë më parë të një raporti të dalë nga zyrat e OSBE-së, ku përmendeshin një sërë politikanësh shqiptarë të lidhur me afera të ndryshme korruptive, apo edhe me grupe mafioze, Top Channel i është drejtuar me një e-mail Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së në Vjenë, Lamberto Zannier, për të kërkuar një shpjegim më të qartë mbi këtë raport.

Nga ana e zyrës së shtypit të Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së ka mbërritur kjo përgjigje, e cila ripërsërit qëndrimin e mbajtur nga ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Rauning. Raporti, siç duket nga reagimi, ka vënë të gjithë këtë institucion në një situatë aspak të këndshme dhe komode, duke minimizuar impaktin dhe duke u distancuar nga përmbajtja e tij.

“Raporti që po flasim nuk është një “raport sekret”. Është një dokument i brendshëm pune, i ngjashëm me dhjetëra dokumente të ndryshme të punës, që secili prej nesh në OSBE përpilon në baza ditore në mënyrë që të ketë një ide se çfarë po ndodh në vende të ndryshme, fusha të ndryshme dhe tematika të ndryshme”, thuhet në e-mailin e OSBE-së drejtuar Top Channel.

Më tej, thuhet se deklarata e bërë nga ambasadori Rauning është shumë e qartë: “informacioni i publikuar nuk përfaqëson as politikën e Prezencës së OSBE-së, as nuk është një vlerësim dhe as një gjykim si dhe as nuk formon bazën e raporteve të tjera. Përmbledhja ishte thjesht një koleksion i informacionit nga raportet në media shqiptare dhe akuzat që qarkullojnë publikisht. Prezenca nuk e ka verifikuar informacionin e përdorur, pasi qëllimi ishte për të marrë një pasqyrë të akuzave, jo për të përcaktuar të vërtetën e tyre”, shkruan zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, duke cituar deklaratën e ambasadorit Rauning.

Sipas OSBE-së, kjo është mënyra normale që organizatat përpiqen për të marrë një pamje më të mirë të situatës nga këndvështrime dhe mendime të ndryshme në çdo vend të caktuar. “Shikohet ajo që thuhet  në mediat lokale, çfarë thonë OJQ-të, çfarë thonë zyrtarët etj. Natyrisht, kur ju përpiqeni të bëni një pasqyrë, ju mblidhni informacion dhe i vini ato bashkë, ndonjëherë edhe të përmbledhur. Dokumentet e tilla përdoren për qëllime informative dhe analitike, jo për të marrë vendime”, saktësohet në e-mail.

E në fund të përgjigjes zyrtare të ardhur nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm Zannier, sqarohet se mandati i OSBE-së nuk përfshin hetimin e zyrtarëve publikë dhe as të bëjë deklatata nëse pretendimet e bëra nga media të ndryshme janë të vërteta apo jo.

Të pyetur nga Top Channel se nëse qeveria shqiptare do kërkonte sqarime lidhur me këtë raport dhe mbi faktin se disa deputetë të përmendur janë ndjerë të fyer dhe kanë kërkuar që OSBE-ja të kërkojë ndjesë, zyra e OSBE-së ka ripërsëritur qëndrimin e ambasadorit Rauning se ky dokument është përmbledhje e artikujve të publikuar në media dhe nuk shpreh aspak qëndrimin e Prezencës së OSBE-së.

Top Channel