Ideja e propozuar nga ministri i Brendshëm gjerman lidhur me prerjen e fondeve të BE-së ndaj vendeve që nuk pranojnë të marrin refugjatë, duket se nuk i ka pëlqyer Angela Merkel.
Pas një koference me homologun e saj austriak Werner Faymann, Merkel u shpreh se kërcënimi i shteteve të tjera, nuk është rruga e duhur për të arritur një marrëveshje të përbashkët. Sipas kancelares gjermane “duhet kultivuar shpirti i Europës së bashkuar dhe për këtë duhet punë e përbashkët dhe jo ndasi”.
Ndërsa më herët, në koferencën e përbashkët, Merkel dhe Faymann këmbëngulën se kriza është një çështje që i përket të gjithë Bashkimit Europian.
“Shumë shtete po rrijne duarkryq duke shpresuar që problemi do të kalojë pa i rënë atyre në qafë, thjesht sepse Gjermania, Austria dhe Suedia kanë shfaqur humanitet më të madh. Mohimi i të drejtës për azil nuk është një alternativë që i shkon vlerave të komunitetit tonë”, deklaroi Faymann.
Merkel gjithashtu hodhi poshtë idenë se Gjermania po inkurajon refugjatët me mikpritjen e tyre, vetem që t’i shtyjë ata për të ardhur drejt Europës. Sipas saj, imazhet e gjermanëve që pritën refugjatët me ndihma, nuk ishin asgjë tjetër,veçse një gjest i bukur i cili erdhi nga zemrat e njerëzve.
“Nëse na duhet të kërkojmë falje për faktin se treguam një anë miqësore në një emergjencë të tillë, atëherë ky nuk është vendi im”, u shpreh kancelarja gjermane.
Por, kontestimet vazhdojnë. Kryeministri sllovak, Robert Fico thotë se vendi i tij do të qëndrojë i vendosur në refuzimin e kuotave të detyrueshme për shpërndarjen e refugjatëve në Bashkimin Europian.
“Ne kurrë nuk do të mbështesim këto kuota të detyrueshme”, tha Fico, një ditë pasi ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së dështuan për të arritur një marrëveshje e cila do të ndante barrën e shpërndarjes së refugjatëve.
Top Channel