Champions, Juventus përmbys City-n, zhgënjen Man.United

15/09/2015 00:00

Skuadrat e mëdha e nisin me fitore sezonin e ri në Champions League, ndërkohë që vetëm Manchester United ka zhgënjyer në ndeshjen e parë.

Pavarësisht se kaluan të parët në avantazh me Memphis Depay, “djajtë e kuq” janë mundur 2-1 nga PSV Eindhoven. Një start jo i mirë ky edhe për trajnerin Louis van Gaal, i cili ka bërë blerje shumë të shtrenjta gjatë merkatos së verës.

Paris Saint Germain dhe Real Madrid kanë treguar që në ndeshjen e parë ambiciet e tyre për kreun e klasifikimin. Skuadra franceze mundi 2-0 Malmoe-n falë golave të Di Maria-s dhe Cavani-t, ndërsa madrilenët e Benitez shkatërruan 4-0 Shakhtar-in. Protagonisti i ndeshjes në “Santiago Bernabeu” ishte sërish portugezi Ronaldo, i cili shënoi 3 herë në portën e ukrainasve.

Një tjetër rezultat surprizë i mbrëmjes ishte fitorja 1-2 e Juventusit në Manchester. Kampionët e Italisë përmbysën rezultatin dhe mposhtën City-n e milionave arabe, duke e nisur mbarë këtë sezon në Champions.

Në Grupin C, Atletico Madrid fitoi 0-2 në Stamboll ndaj Galatasaray-t, ndërsa Benfica mposhti po 2-0 kazakët e Astana-s.

Top Channel