Australia nis sulmet ajrore në Siri

16/09/2015 05:50

Qeveria e Australisë ka konfirmuar se ka nisur sulmet ajrore në territorin sirian ndaj objektivave të Shtetit Islamik. Tre bombardime u realizuan gjatë ditës dhe rezultati ishte i kënaqshëm: një makinë e blinduar me militantë u shkatërrua, së bashku me një pikë grumbullimi të naftës bruto.

Prej rreth 12 muajsh, Australia është pjesë e koalicionit ndërkombëtar ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kryer sulme të vazhdueshme në Irak, ndërsa që prej së hënës avionët australianë kanë kryer sulme edhe në Siri, e kjo është konfirmuar edhe nga zyrtarë amerikanë.

Teksa njoftoi një javë më parë se Australia do të pranojë 12 mijë refugjatë sirianë, ish-kryeministri Tony Abbott tha se Australia do të vazhdojë veprimet ushtarake në Irak dhe në Siri, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara.

Sipas një deklarate të fundit të lëshuar nga Komanda Qendrore amerikane, në sulmet e fundit ajrore në territorin e Irakut dhe në Siri kanë marrë pjesë edhe Britania, Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe Franca.

Njoftimin e kësaj nisme të suksesshme, siç thuhet në deklaratë, e bëri fillimisht ushtria amerikane.

I pyetur përse publikut australian iu desh ta dëgjonte lajmin nga qeveria në Uashington, ministri australian i Mbrojtjes, Kevin Andrews iu përgjigj duke thënë se kishte pasur në plan ta përfshinte lajmërimin në fjalimin e tij të 6-mujorit përpara Parlamentit.

Australia ka 330 trupa me mision trajnues në Irak, por në Siri, siç pohoi ministri Andrews, nuk ka ndërmend të dërgojë asnjë ushtar.

Top Channel