Shtyhet sërish rekursi për dosjen “Dajti”

16/09/2015 09:50

Gjykata e Lartë ka shtyrë sërish shqyrtimin e rekursit të Prokurorisë për një vendim të dhënë nga Apeli i Krimeve të Rënda për të akuzuarin, Dritan Dajti.

Gjykata e Apelit vendosi në dhjetor të vitit të kaluar rikthimin për shqyrtim të dosjes “Dajti” në Gjykatën e Shkallës së Parë, duke argumentuar vendimin e vet me shkeljet e shumta proceduriale, që nga mungesa e avokatit gjatë gjithë procesit.

Procesi ndaj tij u kthye në një serial pa fund që eci përmes 278 seancave, por krijoi edhe preçedentin e mosgjetjes së një avokati, si dhe pati edhe gjyqtarë të kërcënuar, disa prej të cilëve gjatë atij gjykimi u morën në mbrojtje.

44-vjeçari, i shpallur fajtor nga shkalla e parë për vrasjen e katër oficerëve të polcisë, me justifikimin se nuk kishte forcë ekonomike të përballonte një mbrojtës vuri në lëvizje të gjitha autoritetet e drejtësisë për gjetjen e një avokati kryesisht, por askush nga kjo listë nuk pranoi ta mbronte atë.

Për këtë vendim të Apelit të Krimeve të Rënda, Prokuroria iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë, e cila ka dështuar edhe këtë herë në nisjen e seancës së parë për këtë çështje.

Dritan Dajti është dënuar nga Shkalla e Parë për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 7 gusht të 2009-ës në qytetin e Durrësit.

Top Channel