QKR: Regjistrimet online të bizneseve, edhe përmes noterëve

16/09/2015 00:00

Rreth 400 zyra noteriale në të gjithë vendin, nga dita e hënë do të asistojnë bizneset për të kryer regjistrimin online të aktivitetit tregtar.

Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Dhoma e Noterëve nënshkruan një marrëveshje, që i hap dyert biznesit t’u drejtohet zyrave noteriale për të kryer regjistrimin në platformën qeveritare “e-Albania”, duke shmangur radhët pranë QKR-së.

Në një komunikim me mediat, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Regjistrimeve ka folur këtë të mërkurë në lidhje me ecurinë e procesit të regjistrimit të bizneseve në kuadër të operacionit antiinformalitet, që ka nisur prej fillimit të këtij muaji.

Ndër të tjera Vjero theksoi se, nëse në 9 muaj ishin regjistruar rreth 23 mijë biznese gjithsej, vetëm përgjatë shtatorit janë regjistruar mbi 8 mijë biznese. Për këtë arsye, ajo njoftoi se nga e hëna e javës së ardhshme, të gjithë subjektet që kërkojnë të regjistrohen mund ta kryejnë këtë procedurë edhe te noterët, të cilët do të trajnohen mbi plotësimin e formularëve të regjistrimit të bizneseve, por mund të vazhdojnë edhe përmes metodës online.

“Regjistrimi përmes metodës online është më i shpejti dhe i vlefshëm me atë të regjistrimit në zyrat e QKR-së. Kjo metodë nuk shoqërohet me kosto shtesë, ndërkohë që një tjetër rrugëzgjidhje është propozuar regjistrimi përmes noterëve nëpër zyrat noteriale. Këto zyra do të hapen në të gjithë vendin në mënyrë që të shmangen radhët e gjata, si dhe do të shoqërohen me kosto modeste”, u shpreh Vasilika Vjero.

Sa i përket sporteleve të hapura në ambientet e Tatimeve, janë 11 të tilla njoftoi Vjero, e cila bëri thirrje për vazhdimin e formalizimit të biznesit në Shqipëri në kuadër të nismave të fundit të marra nga qeveria. E pranishme në këtë konferencë për shtyp ishte edhe Mimoza Sadushi, kryetare e Dhomës së Noterëve, e cila ritheksoi faktin që regjistrimet mund të bëhen edhe nëpërmjet noterëve, por me një kosto thuajse të papërfillshme.

Top Channel