Assad sfidon Perëndimin: Iki vetëm nëse do populli, jo Amerika apo OKB

16/09/2015 10:35

“Unë e lë postin vetëm po të ma kërkojë populli, jo Amerika. Sepse, në fund të fundit, pushtetin nga populli e mora nëpërmjet zgjedhjeve, ndaj nuk heq dorë prej tij se kështu do Uashingtoni, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, apo Konferenca e Gjenevës”.

Afërsia e Bashar al-Assadit me Moskën po përvitojet çdo ditë e më shumë, ndaj nuk është çudi që dhe të tilla pohime, presidenti sirian i bëri për gazetarët rusë në Damask.

“Nëse do të pyesnit sot një sirian se çfarë dëshiron, do t’iu përgjigjet: siguri dhe qëndrueshmëri për të gjithë. Forcat politike, si ato në qeveri, ashtu edhe ato të opozitës duhet të kthejnë shikimin nga nevojat e popullit. Duhet ta vazhdojmë dialogun, në mënyrë që të arrijmë të gjejmë konsensusin. E nëse duam një progres të vërtetë, – vazhdon Assad, – këtë nuk do ta arrijmë dot përsa kohë njerëzit vdesin, masakrat nuk reshtin, përsa kohë nuk ndihemi të sigurtë dhe terrorizmi nuk është mposhtur”.

Udhëheqësi sirian fshikulloi në komentet e tij edhe mediat perëndimore. “Që në fillesat e krizës – arsyeton Assad, – fushata e tyre u përqëndrua te një element i vetëm: Presidenti. Ai ishte problemi. U përpoqën shumë të krijonin idenë se i gjithë ngërçi i krijuar në Siri buron nga një njeri i vetëm”.

Sa për vërshimin e refugjatëve sirianë drejt Europës, Assad e sheh si përgjegjësi të kontinentit të vjetër. “Europa – shprehet Assad, – i quan terroristët ‘të moderuar’ dhe i ndan në grupe, por ata janë që të gjithë terroristë, pa dallim”. Ndërsa më tej shton se “koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka pjesën e vet në këtë krizë, pasi nuk ishte i zoti ta ndalonte ekspansionin e Shtetit Islamik”.

Top Channel