Alarmi, gjallesat detare janë përgjysmuar

16/09/2015 00:00

Popullsia e gjitarëve, zogjve, peshqve dhe reptilëve detarë është përgjysmuar në katër dekadat e fundit.

Në këtë përfundim ka mbërritur një studim, që thotë se disa prej specieve, që njeriu varet nga ushqimi, janë më të prekura dhe shifra e shfarosjes së tyre shkon deri në 75 përqind.

Përveç aktivitetit njerëzor, si peshkimi, një tjetër faktor për këtë ulje drastike të botës së gjallë marine, vlerësohet në studim, janë edhe ndryshimet klimatike.

Dokumenti është përgatitur nga Fondi Botëror për Jetën e Egër dhe Shoqëria Zoologjik e Londrës.

“Aktiviteti njerëzor ka dëmtuar seriozisht oqeanet duke kapur dhe konsumuar sasi peshqish dhe gjallesash të tjera detare më shumë sesa ato riprodhohen”, thotë Marco Lambertini, kreu i “WWF International”.

Sa i takon ndryshimeve klimatike, raporti thotë se rritja e sasisë së karbonit në atmosferë po përthithet me shpejtësi edhe nga oqeanet, që po kthehen gjithnjë e më shumë në një mjedis më acid që dëmton një numër të madh të specieve.

Studimi përfshiu në analizë më shumë se 1200 specie dhe gjallesa detare në 45 vitet e fundit.

Top Channel