Morata: Juventus, ndër ekipet më të mira në Europë

16/09/2015 00:00

Juventusi e tregoi edhe ndaj Manchester Cityt se është një prej skuadrave më të mira në Europë. Kështu është shprehur Alvaro Morata, autori i golit të fitores për nënkampionët e Europës në sfidën e zhvilluar në “Etihad Stadium”.

Ky sukses i “zonjës së vjetër” erdhi në një moment të vështirë për të. Skuadra bardhezi ka marrë vetëm 1 pikë në 3 ndeshje të zhvilluara në kampionat dhe, sipas Moratës, e gjithë kjo është për shkak të ndryshimeve të pësuara në ekip gjatë kësaj vere.

“Ajo që na duhet është të mësohemi të luajmë me njëri-tjetrin – tha Morata. – Është diçka normale për një skuadër, që të ketë një nisje të ngadaltë të sezonit, duke parë edhe ndryshimet e bëra. Por gjërat do të fillojnë nga e para për ne, pas rezultatit me Cityn. Ne treguam se, kur luajmë si një grup i vetëm, jemi mes skuadrave më të mira në Europë”, ka deklaruar sulmuesi spanjoll.

Ndeshja e radhës së Juventusit është ajo ndaj Genoas në kampionat, që do të luhet ditën e dielë, teksa skuadra e Massimiliano Allegrit do të kërkojë me çdo kusht fitoren e parë në Serie A.

Top Channel