Lufta mediatike mes Rusisë dhe Perëndimit

16/09/2015 11:35

Ka një luftë të re të heshtur mes Perëndimit dhe Rusisë; një përplasje mes të mëdhenjsh, ku nuk përfshihen armë.

“Beteja e informacionit”, siç ka nisur të përshkruhet rëndom, shkëndijën e mori nga kriza ukrainase. Për gati një dekadë, Kremlini është orvatur me çdo mënyrë të fitojë mendjet dhe zemrat e njerëzve anembanë globit, nëpërmjet kanalit të vet më të madh televiziv ndërkombëtar, RT, i njohur dikur si “Russia Today”.

Me fillesat e ngërçit në Ukrainë, Moska i përforcoi edhe më shumë tentativat për të ushqyer makinerinë e propagandës. Buxheti i RT-së u rrit këtë vit në masën 75%, ndërsa një injektim masiv parash është bërë edhe për krahun tjetër operativ ndërkombëtar mediatik të Kremlinit, agjencinë e lajmeve “Rossiya Segodnya”.

Të ndërgjegjshëm për situatën e krijuar, mediat perëndimore dhe organizatat qeveritare po përgjigjen me të njëjtën monedhë. Javën që shkoi, BBC-ja njoftoi planet për një shërbim të ri televiziv satelitor në rusisht. “EEAS”, shërbimi europian për veprim të jashtëm, përgatitet dhe ai të krijojë një “task-forcë” të posaçme antipropagandë, e cila do të ketë në fokus transmetimet ruse në vendet e BE-së dhe pjese të tjera të Europës Lindore.

“Deutsche Welle” dhe “Euronews”-i, i financuar pjesërisht prej BE-së, i kanë shtuar gjithashtu aktivitetet e tyre në rusisht. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, mes Rusisë dhe Perëndimit pati një rivalitet të ashpër mediatik për influencimin e opinionit publik global, e duket se pa shumë bujë, situata, njëfarësoj, po përsëritet.

Top Channel