Kosovë, opozita e bashkuar kërkon rrëzimin e qeverisë

16/09/2015 11:50

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën do të veprojnë si opozitë e bashkuar kundër politikave – siç i quajnë ata, – të dëmshme të Qeverisë së Kosovës.

Marrëveshjet e fundit në Bruksel, demarkacioni me Malin e Zi, padrejtësia në sistemin e drejtësisë, gjendja e rëndë ekonomike e sociale në vend janë disa nga arsyet, për të cilat partitë opozitare janë shprehur këmbëngulëse në rrëzimin e qeverisë.

Të 3 udhëheqësit opozitarë, Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj, dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp për të shpallur bashkimin e opozitës kosovare.

“Jemi të vendosur që këtë rrënim e falimentim të shtetit dhe këto marrëveshje të mos i pranojmë e as t’i lejojme së zbatuari. Deklarojmë se Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën bien dakord që të veprojnë si opozitë e bashkuar në qëndrime dhe veprime, si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit. Me këtë ftojmë për t’u bashkuar edhe të gjithë zërat opozitarë, për t’i ndalur të gjitha këto dëme që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike, apo ekonomike. Do t’i rrisim dhe përshkallëzojmë aktivitetet opozitare për shpëtimin e Republikës”, tha Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ymeri paralajmëroi se, nga e premtja do të fillojnë punën për mbledhjen e firmave të një peticioni mbarëpopullor për kundërshtimin e të gjitha këtyre proceseve, veçanërisht marrëveshjet e Brukselit.

Kryetari i Nismës për Kosovës, Fatmir Limaj theksoi se, zgjidhja më e mirë për Kosovën është dorëheqja e qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme.

“Kemi ardhur në momentin e fundit, që ata ose të pranojnë gabimet duke u tërhequr nga ato që i kanë bërë në dëm të vendit, ose të dorëhiqen. Kjo qeveri nuk ka asnjë legjitimitet për të vazhduar më tutje. Qeveria e Kosovës duhet të dorëhiqet sa më shpejt. Gjëja më e shpejtë, më e mirë, më shpëtimtare sot për Kosovën janë zgjedhjet e parakohshme dhe dorëheqja e qeverisë në mënyrë të menjëhershme”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën.

Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se, ka ardhur koha kur institucionet duhet të reflektojnë, në të kundërtën do të ballafaqohen me qytetarët.

“Mendoj se ky është një hap i rëndësishëm për etapat e tjera që na presin”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Asociacioni i Komunave me elementet e veta është i keq, demarkacioni përbën një tjetër situatë të rëndë, tema e tjera ekonomike janë të rënda, ashtu si dhe marrëveshjet e tjera për telefoninë. Mënyra më e mirë do të ishte që institucionet të reflektojnë sot e me siguri kjo gjë do ta ndryshonte gjendjen, por në rast se ata nuk reflektojnë, do të ballafaqohen me popullin, me qytetarët, me të gjithë ne.

Partitë opozitare kanë ftuar edhe shoqërinë civile dhe të gjithë ata, që janë kundër këtyre proceseve, të bashkohen me qëllim krijimin e frontit të përbashkët politik. Ata nuk dhanë ndonjë datë lidhur me protestat e paralajmëruara, duke thënë se janë në fazën e mobilizimit të qytetarëve.

Top Channel