F1, mjegulla rrezikon garën e Singaporit; ende asnjë vendim për shtyrje

16/09/2015 00:00

Mjegulla e hirtë, që ka pushtuar Indonezinë ditët e fundit, vazhdon të mbajë në ankth organizatorët e Çmimit të Madh të Singaporit në Botërorin e Formula 1, i programuar të zhvillohet këtë fundjavë.

Për momentin, askush nuk flet për një shtyrje të kësaj gare, edhe pse rreziqet që lidhen me shëndetin publik dhe pamjen në pistë gjatë saj, janë ende të mëdha. Në një komunikatë për shtyp, organizatorët kanë bërë të ditur se, niveli i kësaj mjegulle mund të ndryshojë orë pas ore dhe, për këtë arsye, është e pamundur të bëhen parashikime për atë që mund të ndodhë në fundjavë.

Ditët e fundit, ajri në Singapor u klasifikua si shumë i dëmshëm për shëndetin,arsye për të cilën fundjavën e kaluar u anuluan disa prej aktiviteteve sportive në këtë vend.

Ndërkaq, autoritetet në Indonezi kanë filluar punën për marrjen e masave parandaluese. Informacionet në lidhje me kushtet meteorologjike do të publikohen në kohë reale në faqen zyrtare dhe aplikacionin zyrtar të garës së Singaporit, në ekranet gjigante dhe radiot e pistës.

Për më tepër, përpara zhvillimit të garës do të shpërndahen edhe maska, për të gjithë ata që do të ndjekin Çmimin e Madh të Singaporit në tribunat e pistës, ndërkohë që në gatishmëri do të ketë edhe shumë makina të ndihmës së shpejtë.

Top Channel