Reali, i shqetësuar nga dëmtimet. Më problematiku, ai i Bale

16/09/2015 00:00

Fitorja 4-0 ndaj Shakhtar Donetsk nuk kaloi pa pasoja për Realin e Madridit. Tre prej lojtarëve të “Los Blancos”-ve pësuan dëmtime gjatë kësaj sfide me ukrainasit. Bëhet fjalë për Bale, Varane dhe Sergio Ramos.

Ai që shqetëson më shumë trajnerin e 10 herë kampionëve të Europës, Rafael Benitez, është pikërisht uellsiani. Bale u detyrua të lërë fushën e lojës në minutën e 27 të ndeshjes dhe, sipas stafit mjekësor të Realit të Madridit, ai ka pësuar një dëmtim muskular.

Gjithsesi, për të mësuar më shumë rreth shkallës së këtij dëmtimi të uellsianit, stafi teknik i Realit duhet të presë ditën e enjte, kur Bale do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të tjera mjekësore.

Përsa i përket Varane, qendërmbrojtësi francez ndjeu shqetësime në kavilje. Në përfundim të pjesës së parë ai u la në dhomat e zhveshjes, duke i lënë vendin Pepes në 45 minutat e dyta të takimit. I fundit që ra viktimë e dëmtimit ishte Sergio Ramos, i cili shfaqi probleme në shpatull gjatë një përplasjeje me një prej futbollistëve të Shakhtar Donetsk.

Top Channel