Lu: Reforma në Drejtësi, hapi më i rëndësishëm

16/09/2015 00:00

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, nga tryeza e reformës për drejtësinë organizuar nga “Forumi Civil” hodhi një paralele të kujdesshme mes drejtësisë dhe politikës në Pakistan dhe asaj në Shqipëri.

Lu tregoi historinë e një mikut të tij gjykatës, i cili nuk u thye përballë karteleve të drogës në Pakistan, përfaqësues të të cilëve i hynin politikës për të influencuar drejtësinë në lirimin e bosëve të drogës.

Për reformën në drejtësi që ka nisur, Lu tha:

“Pakistani është sigurisht një vend i ndryshëm nga Shqipëria, por disa prej sfidave janë të njëjta. Në të dyja vendet, ne shqetësohemi për gjykatësit e korruptuar, për politikanë kriminelë dhe një sistem, ku më të pasurit e blejnë drejtësinë e tyre. Lufta për reformën në drejtësi sapo ka nisur. Njerëz me integritet, në të djathtë e në të majtë, besohen në këtë luftë. Gjykatës, prokurorë dhe politikanë të korruptuar dhe të paaftë do t’i kundërpërgjigjen kësaj reforme, por ne nuk duhet t’i lejojmë ata të fitojnë. Kjo reformë është e vetmja më e rëndësishme që prej rënies së komunizmit”, u shpreh ambasadori amerikan Donald Lu.

Nga kjo tryezë, ish-Presidenti Alfred Moisiu, bashkëthemelues i “Forumit Civil” tha se duhet një ligj i veçantë, për t’i bërë një skaner të plotë pasurisë së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke zbatuar parimin e barrës së provës, madje edhe për familjarët e tyre.

Një tjetër sugjerim i Moisiut lidhej me zgjedhjen e Presidentit nga populli.

“Sado që të bëhen ndryshime kompetencash, kam bindjen se politika në të gjitha rastet do të përpiqet për ta bërë Presidentin palë të sajën. E pra, kjo modifikohet vetëm duke zgjedhur njerëzit e duhur në atë detyrë dhe duke zgjedhur kryetarët e shtetit drejtpërdrejtë nga populli. Nuk e kuptoj, përse deri tani te ne hezitohet për të dalë në një zgjidhje të tillë, kur pothuajse e gjithë Lindja e zgjedhin Presidentin drejtpërdrejtë nga populli”, deklaroi ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, bashkëthemelues i “Forumi Civil 2010”.

Ambasadori gjerman, Helmut Hoffman u shpreh se “nëse reforma në drejtësi nuk kryhet tani, Shqipëria do të humbasë 10 vite kohë”.

Top Channel