Gjyqi ndaj Ivanoviçit, tentohet blerja e dëshmitarëve

16/09/2015 00:00

Personave që po dëshmojnë kundër Oliver Ivanoviç, i cili dyshohet se ka nxitur vrasjen e disa shqiptarëve në prill të vitit 1999 në Mitrovicë, po iu ofrohen shuma të mëdha parash për të mos dëshmuar, apo për të tërhequr dëshmitë e tyre.

Rasti më i njohur është ai i dëshmitarit Isa Mustafa, i cili bën të ditur për “Telegrafin” se i janë ofruar mbi 100 mijë euro për të mos dëshmuar dhe kjo ka ndodhur disa herë radhazi. Sipas tij, para dy muajve i kanë treguar se, persona të caktuar ishin të gatshëm t’i ofronin mbi 100 mijë euro për të tërhequr dëshminë kundër Oliver Ivanoviçit.

“Pas dëshmisë sime në janar të vitit 2015, një person erdhi tek unë dhe më tregoi se ishte udhëzuar që të dërgonte tek unë një çantë me mbi 100 mijë euro, në mënyrë që unë të tërheq dëshminë kundër Oliver Ivanoviçit. Kjo paska ndodhur në pjesën veriore të Mitrovicës, më saktësisht në lagjen ‘Suhodoll’, ku edhe janë dërguar paratë”, tha Mustafa për “Telegrafin”, duke sqaruar se ai që duhej të ishte ndërmjetësi, nuk pranoi që ta bënte një gjë të tillë.

Mustafa tha se do të punojë me Prokurorinë e EULEX-it në fillim dhe se nuk do të bëjë publikë emrat e atyre që donin t’i ofronin paratë. Ai tha se nuk i beson Gjykatës së Kosovës, ndërsa shtoi se përpjekjet për ta blerë që të mos dëshmojë janë shumë të vjetra.

Top Channel