Pr/ligj për dekriminalizimin, ja kush ndalohet në administratë dhe zgjedhje

16/09/2015 13:55

Kushtetuta e vendit do të ndryshojë sërish, për shkak të pr/ ligjit të fundit të miratuar nga qeveria, atë për emërimet në funksionet publike. Ministrja Ermonela Felaj prezantoi p/ligjin e sapomiratuar nga qeveria, i cili do të ketë efekt edhe mbi funksionarët aktuale.

“Ligji parashikon të ushtrojë veprimin e tij edhe ndaj të gjithë atyre që janë zgjedhur, emëruar ose janë duke ushtruar funksione publike pikërisht përmes të njëjtave instrumenta dhe deklarimeve dhe më tej verifikimeve nga organet përgjegjëse. Qeveria dhe maxhoranca do të paraqesë në parlament këtë projektligj bashkë me draftin për ndryshimet kushtetuese që reflektojnë parimet e kësaj nisme për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare. Përmes këtij ligji hapet një faqe e re në historinë e demokracisë shqiptare. Asnjë individ që në të kaluarën e tij është dënuar në gjykatat vendase apo të huaja nuk do të ketë mundësi të emërohet”, tha ministrja Felaj.

Sipas këtij p/ligji, ndalohet të zgjidhen deputetë, kryetar bashkie, këshilltarë, të emërohen në detyrën e kryeministrit apo anëtar i Këshillit të Ministrave, të zgjidhen në funksione që voton Parlamenti, të gjithë personat e dënuar brenda apo jashtë vendit me vendime gjyqësore të formës së prerë për një sërë krimesh të rënda.

Gjithashtu, ndalimi do të zbatohet edhe ndaj personave që kanë kryer krime të parashikuara në ligj dhe për rastin kur ndaj tyre janë dhënë vendime dënimi nga Gjykata e Shkallës së parë, pra, jopërfundimtare, ose ndaj të cilëve është vendosur një masë sigurimi personale ose është lëshuar urdhër kërkimi nga autoriteti gjyqësor i huaj. Për këtë kategori ndalimi do të zgjasë deri në revokimin e masës së sigurisë, urdhrit të arrestit ose vendimit të pafajësisë.

Ndërsa për kategorinë e personave që janë të dënuar, ndalimi për të kandiduar do të jetë në përputhje me rëndësinë e veprës që kanë kryer

Për vepra penale më të rënda ndalimi do të jetë përjetë, për vepra të tjera 20 vjet nga përfundimi i vuajtjes së dënimit dhe 10 vjet për të gjithë ata që kanë marrë dënime me burgim jo më pak se dy vjet.

Sipas ministres Felaj, verifikimi i këtyre kandidatëve do të bëhet përmes vetëdeklarimit të subjektit që kërkon të kandidojë, por dhe më pas përmes procesit verifikues që ka çdo institucion. Titullari i formularit do të mbajë përgjegjësi penale për të dhënat e rreme apo të shtrembëruara. Verifikime do të kryhen si brenda dhe jashtë vendit.

Lista e veprave penale, dënimi për të cilat ndalon këdo dhe përjetë, nga ushtrimi i funksioneve publike, zgjedhja apo emërimi në to:

1.Genocidi
2. Krime kundër njerëzimit
3. Krimet e luftës
4. Vrasja me dashje
5. Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër
6.Vrasja me paramendim
7.Vrasja për gjakmarrje
8.Vrasja në rrethana të tjera cilësues
9.Vrasja e funksionarëve publikë
10.Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit
11.Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare
12.Sigurimi i kushteve dhe mjeteve material për të kryer vrasje
13.Tortura
14.Tortura me pasoja të rënda
15.Plagosja e rëndë me dashjekur ka sjellë si pasojë vdekjen apo e kryer kundër disa personave, ose atyre që janëbashkëshort/bashkëjetues, gjini e afërt/krushqi e afërt
16.Shitblerja e transplanteve
17.Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur
18. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë metë mitur të moshës 14-18 vjeç
19.Marrëdhenie seksuale me dhunë me të rritura
20.Marrëdhënie homoseksuale me dhunë me të rritur
21.Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur
22.Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me kërcënim me përdorimin e armës
23. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën
24. Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari
25.Vepra të turpshme
26.Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit
27.Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë
28.Zhdukja me forcë
29.Trafikimi i personave të rritur
30.Veprimet që lehtësojnë trafikimin
31.Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera
32.Shfrytëzimi i prostitucionit
33.Trafikimi i të miturve
34.Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën
35.Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit
36.Vjedhja me armë
37. Vjedhja me pasojë vdekjen
38. Trafikimi i mjeteve motorike
39.Skemat mashtruese dhe piramidale
40.Dëmtimi i objekteve mbrojtëse
41.Sigurimi i mjeteve për shkatërrimin e teknikës luftarake
42.Marrja e shpërblimeve
43.Vënia në shërbim të shteteve të huaja
44.Atentati
45.Komploti
46. Kryengritja
47.Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës
48.Thirrjet publike për veprime të dhunshme
49.Krijimi i partive dhe shoqatave antikushtetuese
50. Shpërndarja e krimeve antikushtetuese
51. Vepra me qëllime terroriste
52.Financimi i terrorismit
53.Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera që financojnë terrorizmin
54.Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur
55.Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit
56.Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste
57.Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprimeve me qëllime terroriste
58. Kanosje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste
59. Krijimi i turmave të armatosura
60. Prodhimi i armëve luftarake
61.Organizata terroriste
62. Banda e armatosur
63. Trafikimi i armëve dhe i municionit
64. Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese, radioaktive
65.Prodhimi dhe shitja e narkotikëve
66.Trafikimi i narkotikëve
67.Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale
68.Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
69. Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë
70. Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë
71. Organizata kriminale
72.Grupi i strukturuar kriminal
73.Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal

Vepra të tjera

1.Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
2. Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë
3. Shpërdorimi i detyrës
4. Dhënia në kundërshtim me ligjin e pensioneve ose të ardhurave të tjera nga sigurimet shoqërore
5.Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
6.Korrupsini pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Top Channel