Basha: Droga, në të gjithë vendin. Narkotrafikantët, në Parlament

16/09/2015 14:15

“I marri nuk ka brirë, thotë populli, por sot Edi Rama i shfaqi brirët e tij”.

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, reagoi për atë që kryeministri Edi Rama cilësoi si aktivitetin e së vërtetës së shifrave të narkotrafikut në vend, duke e cilësuar qesharak atë që quajti “show mediatik të kryeministrit”.

“Por kur s’ke rezultate pozitive, kur nxin në rekordet e tua nga krimi, kur çdo raport në Berlin, Bruksel, Uashington, Londër apo Paris të përmend si përgjegjësin kryesor të inkriminimit të shtetit, të veshjesh me pushtet të trafikantëve, atëherë s’të mbetet gjë tjetër veçse të organizosh kinemanë verore e të thërrasësh me forcë 2000 policë në këtë kazermë”, tha Basha.

“Nuk e zhbën dot të vërtetën, as me shfaqjen me regji qendrore, as me keqpërdorimin që u bëre sot ambasadorëve, duke thyer edhe kodin e lashtë të shqiptarëve, atë se ‘miku nuk tallet e nuk poshtërohet kur e fton në shtëpinë tënde’. Mos u bëj burracak dhe mos u fshih pas policisë. Mos u fshih në regji qendrore”, vijoi fjalën kreu i PD-së.

Duke u kundërpërgjigjur për shifrat e dhëna nga shefi i qeverisë shqiptare, për vitet kur qeveriste e djathta dhe sot të mbjelljes së hashashit në vend, Lulzim Basha deklaroi se rezultatet e demokratëve ishin të qarta.

“Çfarë t’iu mërzis kot me atë që u bë, sepse shqiptarët e dinë se ç’u bë. Ishte Shqipëria në NATO, që nuk mund të futej në qoftë se Habilajt dhe Shullazët do të ishin lidhur me Lulin. Ishte gjithashtu heqja e vizave për qytetarët shqiptarë”, numëroi ndër sukseset Basha.

Zgjidhja e vetme për kreun e opozitës mbetet pastrimi i politikës.

“Qytetarët, ndërkombëtarët dhe opozita duan dekriminalizimin. Nise me testin e drogës ndaj teje dhe ministrit tënd. Do të ishte një fillim i mbarë”, sugjeroi Basha në fund të fjalës së tij.

Top Channel