Policia hungareze, gaz lotësjellës ndaj emigrantëve; kaos në kufirin me Serbinë

16/09/2015 16:20

Forcat e policisë hungareze kanë hedhur gaz lotësjellës dhe kanë përdorur topa me ujë për të zmbrapsur emigrantët nga kufiri me Serbinë.

Qindra persona janë mbledhur në një pikë kryeqëzimi në afërsi të qyteti serb Horgos dhe janë përfshirë në një përballje të tensionuar me policinë në anën tjetër të kufirit.

Disa emigrantë kanë hedhur objekte në drejtim të forcave të rendit, përfshirë këtu gurë dhe shishe uji.

Pamje televizive tregonin skena kaotike në afërsi të Horgosit, me objekte të përfshira nga flakët dhe automjete policie dhe ambulance që mbërrinin në anën serbe të kufirit.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” raporton se persona të shumtë morën trajtim mjekësor nga shërbimet serbe në vendin e ngjarjes, shumica e të cilëve vuanin nga efektet e gazit lotësjellës, ndërkohë që një i ri kishte marrë plagë të rëndë në këmbë.

“Ne iu larguam luftës dhe dhunës dhe nuk prisnim një trajtim kaq brutal e çnjerëzor në Evropë”, deklaroi Amir Hasan, refugjat nga Iraku.

Ministri i Jashtëm hungarez tha ndërkohë se i ka kërkuar Serbisë që të reagojë ndaj atyre emigrantëve që sulmuan policinë në kufi.

Nga ana e saj, pala serbe ka shprehur irritimin e saj ndaj Hungarisë për përdorimin e gazit lotësjellës në kufi.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel