Britani, kreu i ri i laburistëve “merr në pyetje” Cameron

16/09/2015 17:35

Lideri i ri i laburistëve në Britaninë e Madhe i ka bërë këtë të mërkurë në Parlament kryeministrit Cameron të njëjtat pyetje të cilat ia bënte kohë më parë me email.

Jeremy Corbyn deklaroi se dëshironte që sesioni i përjavshëm të ishte më pak “teatral”, gjë për të cilën ra dakord edhe vetë Cameron, që u shpreh dakord që t’u kushtohet më shumë vëmendje çështjeve thelbësore.

Corbyn shtroi pyetje për banesat, interesat e kredive dhe për shkurtimet në shërbimin e shëndetit mendor.

Gazetari i BBC në seancë njoftoi se kreu i opozitës ishte më i qetë se normalisht dhe se kryeministri Cameron asnjëherë nuk u gjend nën presion të fortë.

“Mendova që seancën time të parë të pyetjeve me kryeministrin do ta bëja pakëz ndryshe. Kështu që i dërgova një email mijëra qytetarëve dhe u kërkova se çfarë pyetjesh dëshironin t’i bënin kryeministrit. Mora 40 mijë përgjigje”, tha Corbyn.

Dhe pyetja e parë që ai parashtroi ishte ankesa e një qytetareje britanike mbi pamundësinë për të paguar koston e banesave dhe ato që ajo i quante “qiratë zhvatëse të imponuara nga baronët e sektorit privat”.

Nga ana e tij Cameron, që u shpreh i gatshëm për ta bërë më të shëndetshme seancën e pyetjeve, tha se, qeveria ka ndërmarrë një seri masash për lehtësimin e këtyre problemeve, por edhe pranoi se, “më shumë duhet bërë”.

Përpara se zoti Corbyn të niste pyetjen e dytë, atë mbi vendet e humbura të punës, me ironi falenderoi kryeministrin “për angazhimin e tij për t’i bërë pyetje më serioze se në të kaluarën”.

Më pas, ai pyeti mbi shkurtimin e “turpshëm” të normave të interesit, të votuar nga Parlamenti ditën e martë dhe mbi shkurtimet në shërbimin e shëndetit mendor, duke shkaktuar shumë debate.

Top Channel