Paloka: Rama glorifikoi figurën e Hoxhës dhe regjimit të tij

16/09/2015 17:50

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka deklaroi këtë pasdite se, kryeministri Rama nxiti sërish sot ndasi e konflikt social, duke provokuar shoqërinë me nderimin që i bëri diktatorit Hoxha dhe shpurës tjetër komuniste të regjimit kriminal, “që vranë, internuan, dënuan pa gjyq, zhdukën të drejtat elementare të njeriut, dhe sollën krizën e urisë për 45 vite në Shqipëri”.

“Përmes pinjollit të tij në Bashkinë e Tiranës, Edi Rama organizoi një aktivitet shtetëror me fotot e Enverit e Nexhmies në Pezë, kësaj radhe me akt edhe më agresiv, duke i vendosur ato në vendin e nderit. Edhe më e rëndë është kjo ngjarje, kur të tilla manifestime bëhen me paratë e taksave të qytetarëve”, deklaroi Paloka.

Partia Demokratike e dënon këtë politikë “të shëmtuar e kriminale” të Edi Ramës, “që nga viti në vit po glorifikon dhe po restauron dikatorin më të egër të lindjes, duke e bërë tashmë pjesë zyrtare të protokollit”.

“Ky është akti i një kryeministri të dështuar, i neveritur tashmë nga mbarë shoqëria që rreket në mënyrë të dëshpëruar të ruajë mbështetjen tek një grusht komunistësh. Ne i kërkojmë Edi Ramës të heqë menjëherë dorë nga këto provokime, me diktatorin, regjimin e të cilit mijëra shqiptarë e kanë paguar me gjak e me jetën e tyre”, vijoi Paloka.

Ai paralajmëroi se, nëse ai vazhdon të glorifikojë me arrogancë e me forcë Enver Hoxhën, qytetarët e vendit dhe PD do t’i japin përgjigjen që meriton, “përgjigjen që ka marrë dhe idhulli i tij”.

Top Channel