Na ishin njëherë avionët supersonikë

16/09/2015 18:20

Gati 60 vite më parë, qielli i Shqipërisë nisi të patrullohej nga avionët “Supersonic” më të shpejtë të kohës, “Mig”-ët.

Fillimisht u futën tipet 15, 17, 19 dhe në fund ato më të avancuarit, 21. Shumë të rinj u regjistruan në shkollën e Aviacionit të Vlorës, duke përgatitur kështu pilotët e parë që kishin pasion fluturimin dhe mbrojten e kufijve ajror.

Edhe pse nuk ishte e lehtë të drejtoje një reaktiv, falë shkëmbimit të eksperiencës me pilotët rus, ata u bënë profesionistë.

Karakteristikat e avionit ishin unike. Ai mund të arrinte një shpejtësi marramendëse në kohë shumë të shkurtër, gjë që lakmohej nga shtetet kufitare, të cilat ende nuk kishin siguruar një avion të tillë. Edhe pse të avancuar për kohën, “Mig”-ët u kanë marrë jetën aksidentalisht disa pilotëve, që edhe sot e kësaj dite kujtohen nga kolegët.

Zyrtarisht, Forcat Ajrore shqiptare u krijuan më 24 prill 1951. Tipet e parë të avionëve ishin ata sovjetikë të prodhuar pas Luftës së Dytë Botërore, “Yak-18”. Disa vite më vonë, Forcat Ajrore do të pajiseshin me avionë luftarakë reaktivë, por do të vinte një ditë, që teknologjia nuk do i përgjigjej kohës.

Avionët, një nga një u vjetëruan, derisa fluturimi i fundit i “Mig”-ut në Shqipëri u regjistua në vitin 2008. Sot, ato gjenden të shpërndarë si relike në disa baza ushtarake, si ato të Kuçovës, Gjadrit dhe Rinasit, si dëshmi e një kohe të lavdishme, kur qielli nuk ishte limit për “supersonic”-ët shqiptarë.

Top Channel