Tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.3 ballë në Kili, paralajmërim për cunam

17/09/2015 01:55

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.3 ballë është regjistruar pranë brigjeve të Kilit. Epiqendra e tërmetit ka qenë rreth 246 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Santiago.

Mediat vendase kanë raportuar deri tani për 5 persona të vdekur dhe 15 të tjerë të plagosur, ndërsa shumë ndërtesa kanë pësuar dëmtime.

Qendra për Paralajmërimin e Cunameve në Paqësore ka njoftuar se menjëherë pas tërmetit është gjeneruar një cunam, vala e të cilit arrin deri në 3 metra. Ndërsa është dhënë menjëherë urdhër për evakuimin e zonave bregdetare. Ndërkohë që sirenat paralajmëruese të cunamit janë dëgjuar në portin e Valparaiso. Paralajmërimi për cunam është dhënë edhe në Peru dhe në Hauai.

Tërmeti i parë i fuqishëm është shoqëruar edhe nga disa lëkundje të tjera deri në 7 ballë. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve te Bashkuara ka vlerësuar se mbi 1 milionë persona kanë ndjerë dridhjet e forta të tërmetit.

Kili është goditur shpesh nga tërmete të fuqishme. Më 27 shkurt të vitit 2010, me qindra persona humbën jetën pas tërmetit të fuqishëm 8.8 ballë, me epiqendër pranë qytetit Concepcion.

Top Channel