Prokuroria, ministria e Financave dhe e Brendshme, marrëveshje kundër informalitetit

17/09/2015 10:35

Ministria e Financave, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Brendshme nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, me qëllim konsolidimin e luftës kundër informalitetit. Ku ka vullnet shtetformues, deklaroi kryeministri Edi Rama, nuk ka asgjë që mund të bëhet pengesë objektive.

Shefi i qeverisë shqiptare edhe njëherë tjetër duke folur për problemet e drejtësisë dha paralajmërim e radhës për njerëzit e korruptuar në gjyqësor.

“Sfida e sfidave mbetet përballja fundore me gjykatësit e korruptuar. Po një gjë është e sigurtë, asnjë gjykatës nuk duhet të mendojë se drejtësia vonon përgjithmonë. Drejtësia vonon, por nuk harron. Të jenë të sigurtë që drejtësia nuk do t’i harrojë, ata të cilët me çekiçin e gjykatësit shkelin çdo ditë të drejta individësh, komunitetesh dhe të drejtën themelore të kësaj shoqërie, për të qënë e lirë dhe e çliruar një herë e mirë nga kthetrat e hajdutërisë, korrupsionit dhe krimit ekonomik e financiar”, tha kryeministri Edi Rama.

Ministri Tahiri u ndal në rëndësinë që merr formalizimi i ekonomisë.

“Krimi ekonomik e financiar ndonëse nuk ka krisma, kalojnë thuajse heshturazi në sytë e publikut, kanë një dëm të madh ndaj shtetit dhe ndaj shoqërisë. Nëpërmjet kësaj marrëveshje biem dakord me Prokurorinë e Përgjithshme, ministrinë e Financave që të bashkojmë energjitë dhe forcat e krimit ekonomik në policinë e shtetit, prokurorëve të specializuar në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe hetimit tatimor dhe doganor për t’i dhënë një shtysë shumë më të fortë hetimeve në fushën financiare”, tha ministri Saimir Tahiri.

Ndërsa kryeprokurori Adriatik Llalla evidentojë një problematikë që ka dalë nga hetimet kundra evazionit fiskal.

“Bizneset realizojnë evazionin fiskal në bashkëpunim me punonjës tatimorë ose doganorë Në të gjitha këto raste, ne do të vijojmë të kryejmë hetime të plota, si për shkelësit e ligjit, bizneset, ashtu dhe për zyrtarët publikë. Të gjithë do të vihen në mënyrë të barabartë përballë ligjit”, tha Adriatik Llalla, Prokuror i Përgjithshëm.

Top Channel