Drogë në aksin Shqipëri-Siçili, 15 të arrestuar; marijuanë me vlerë 70 mln euro

17/09/2015 14:15

Lumenj droge nga Shqipëria për të furnizuar grupet mafioze në Siçili. Të paktën 15 persona kanë rënë në pranga në një operacion të agjentëve të Guardia di Finanza në Katania, shqiptarë e italianë të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Sipas agjencisë së lajmeve “Agi”, hetimet e palës italiane kanë dokumentuar ekzistencën e dy organizatave kriminale, të përbëra kryesisht nga shtetas shqiptarë, që edhe pse të stabilizuar prej kohësh në Itali garantonin furnizimin me marijuanë falë kontakteve me bashkëkombasit e tyre.

Dy grupet, njëri me bazë në rajonin e Lacios dhe tjetri në Katania e Raguza, furnizonin me kanabis disa klane kriminale kataneze, të përfshira në mafien lokale.

Nëntë nga 15 personat e arrestuar janë shtetas shqiptarë, të identifikuar si Oresti Mufali, Albert Shqau, Erion Muçaj, Emir Baja, Jodian Shametaj, Emiliano Shametaj, Gentian Hoxhaj, Fation Hoxhaj dhe Erson Zuka, mosha e të cilëve varion nga 25 në 46 vjeç.

Hetimet mbi këtë grup kishin nisur në vitin 2012 nën drejtimin e Drejtorisë Lokale të Antimafias, që kishte çuar në arrestimin e 19 trafikantëve të tjerë, si dhe në sekuestrimin e 3.500 kilogramëve marijuanë, me vlerë 70 milionë euro.

Top Channel