Studim për ujësjellësin e Marinzës

17/09/2015 14:30

Kompania “Bankers Petroleum” dhe Bashkia e Roskovecit nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që synon realizimin e studimit të fizibilitetit për hartimin e projektit të furnizimit me ujë për banorët e Marinzës.

Sapo studimet e fizibilitetit të kenë përfunduar, njësitë vendore mund të përdorin pjesën e tyre nga taksa e rentës minerare që Bankers i ka paguar shtetit, për të ndihmuar në financimin e këtyre projekteve shumë të nevojshme dhe për të rritur ndikimin pozitiv të operacioneve të naftës brenda këtyre komuniteteve.

Memorandumi është nënshkruar në emër të kompanisë nga zëvendëspresidenti i Bankers-it dhe nga kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi. Të dy palët bien dakord që të angazhojnë një ekspert si palë të tretë, për hartimin dhe zhvillimin e këtij projekti të përbashkët të furnizimit me ujë në Marinëz, i cili synon të përmirësojë cilësinë e jetës për banorët e këtij fshati.

Projekti i studimit të fizibilitetit pritet të hartohet në dy muajt e ardhshëm dhe pas aprovimit, do të fillojnë më pas punimet për realizimin e tij.

Furnizimi me ujë ka qenë gjithmonë një problematikë dhe një shqetësim për 600 familjet e Marinzës. Si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Bankers-it në zonën e Marinzës, kompania është e angazhuar të mbështesë këtë projekt, si në fazën e fizibilitetit ashtu edhe në fazën e zbatimit të projektit.

Top Channel