F1, vendimi për të ardhmen e Button merret pas disa javësh

17/09/2015 14:45

Jenson Button do të vendosë për të ardhmen e tij te McLaren në javët e ardhshme. Është vetë piloti britanik i cili e ka pohuar këtë në një intervistë për Reuters.

Button u bashkua me skuadrën nga Woking në vitin 2010, një vit pas fitimit të titullit botëror me Broën GP. Deri tani ai nuk ka mundur dot të përsërisë suksesin e arritur 6 vite më parë, ndërkohë që në këtë sezon ai po përjeton momente shumë të vështira. Kjo ka bërë që të ngrihen shumë pikëpyetje për vazhdimësinë e tij te skuadra britanike.

“Nuk kemi marrë ende një vendim për të ardhmen. Është një situtatë e vështirë, pasi jam në Botërorin e Formulës 1 për një kohë të gjatë e për më tepër po garoj për një skuadër si McLaren. Shpresoj që në javët e ardhshme të jemi në gjendje të bëjmë të ditur vendimin që do të marrim. E vërteta është se ende më pëlqen të marr pjesë në garat e Formulës 1. Nëse do të qëndroj këtu, dua që të jem pjesë e McLaren”, tha Button.

Britaniku theksoi gjithashtu se nuk ka ndërmend të largohet nga ambientet e Formulës 1 edhe nëse ai vendos të mos zbresë më në pistat e garave: “E adhuroj ende këtë sport dhe ka shumë fusha të tjera brenda tij ku mund të punohet. Njerëzit nuk e dinë apo nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë po ndodh, pasi jemi vetë ne që po i komplikojmë gjërat. Kështu që unë mendoj se mund të jap ndihmën time në këtë pikë dhe them se do të jetë argëtuese”.

Top Channel