Informaliteti i fermerëve të duhanit, prodhuesit ankohen për grumbulluesit

17/09/2015 15:35

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave dhe Prefektura e Qarkut të Elbasanit organizuan një takim mbi luftën ndaj informalitetit dhe evazionit për kulturën e duhanit.

Në këtë takim kanë qenë të pranishëm zv/ministri i Bujqësisë, administratorët vendorë dhe përfaqësues të Shoqatës së Kultivuesve të Duhanit. Sipas Drejtoreshës së Tatimeve, tregtimi i duhanit do të formalizohet dhe fermerët do t’i përgjigjen ligjit.

“Kemi pasur aksione të njëpasnjëshme për të formalizuar prodhimin dhe tregtimin e duhanit. Qëllimi është formalizimi i plotë”, deklaroi Pranvera Fagu, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave.

Por krijimi i monopolit në treg, ku vetëm një kompani është e licensuar për grumbullimin e duhanit, ka shkaktuar polemika të mëdha tek fermerët.

Gjokë Jaku, zv/ministër i Bujqësisë, u shpreh: “Jemi në procesin e ribërjes së ligjit për duhanin. Në bashkëpunim me Shoqatën e Kultivuesve të Duhanit, do të marrim përgjegjësitë tona për të negociuar me pikën e grumbullimit”.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Kultivuesve të Duhanit vuri në dukje se mosmarrja e masave nga shteti për dhënien fund të monopolit, ka bërë që zona e Dumresë, më e madhja në vend për prodhimit e duhanit, të mos ta kultivojë më këtë kulturë.
 
“Ka një rënie rreth 600 hektarë, çka do të thotë 40% më pak se viti i kaluar. Shkak i kësaj uljeje, është çmimi i blerjes për vitin 2014”, tha Petrit Paja.

Edhe pse kanë vite që protestojnë kundër kompanisë së vetme në treg për grumbullimin e duhanit, fermerët që prodhojnë duhan dëmtohen nga çmimet e ulta në grumbullim.

Top Channel