INSTAT: Rriten shpenzimet për arsimin

17/09/2015 16:20

Vitin e kaluar një familje shqiptare shpenzoi mesatarisht 69 mijë e 442 lekë në muaj për konsum. Ky është përfundimi i anketës më të fundit të INSTAT mbi buxhetet e familjeve.

Anisa Omuri, specialiste e buxheteve të familjeve në INSTAT, deklaroi: “Sipas anketës për vitin 2014, shpenzimet mesatare janë llogaritur rreth 69 mijë lekë të reja, për një familje me 3.8 pjesëtarë. 31 mijë lekë shkojnë për konsum ushqimor, ndërsa 38 mijë lekë shkojnë për konsum joushqimor”.

Pjesa më e madhe e buxhetit të familjeve shqiptare vazhdon të shkojë për ushqime. Por, krahasuar me 5 vjet më parë, pesha e buxhetit që shpenzohet për artikuj ushqimorë është ulur, ndërkohë që shqiptarët po dedikojnë gjithmonë e më shumë fonde për t’u arsimuar.

Drejtori i përgjithshëm i INSTAT, Gjergj Filipi, shpjegon: “Kanë rënë shpenzimet për ushqime dhe janë rritur shpenzimet për arsim dhe shëndetësi”.

Rritja e shpenzimeve për arsim duket një zgjedhje jo e rastësishme. Vetë anketa tregon se personat me më shumë arsim, kanë një nivel më të lartë mirëqënieje. Por, një tjetër përfundim i rëndësishëm i saj, është ai se Shqipëria po bëhet më e pabarabartë, çka tregohet nga rritja e peshës që zë 10% më i pasur i popullsisë në totalin e konsumit.  

Në rang qarqesh, Tirana ka nivelin më të lartë të mirëqënies, ku një familje me 3.8 veta shpenzon mesatarisht mbi 81 mijë e 650 lekë në muaj, ndërsa në vendin e fundit është Elbasani, me rreth 53 mijë lekë ose 35% më pak.

Top Channel