Plani amerikan për stërvitjen e rebelëve, i dështuar

17/09/2015 16:25

Skema amerikane për të stërvitur rebelët sirianë në luftën kundër Shtetit Islamik është cilësuar një dështim i plotë, pasi një gjeneral amerikan pranoi se vetëm 4 apo 5 prej tyre ishin ende në luftë.

Kongresi amerikan aprovoi një fond prej 500 milionë dollarësh për të stërvitur dhe pajisur rreth 5000 rebelë, si një pjesë thelbësore e strategjisë amerikane kundër Shtetit Islamik. 54 rebelët e parë që u stërvitën nga SHBA-të u nxorrën jashtë loje nga një sulm i Al-Qaedës në Siri dhe nuk dihet se çfarë ka ngjarë me ta.

Sipas gjeneralit Lloyd Austin, disa prej tyre u vranë, disa u rrëmbyen dhe të tjerë u zhdukën. I pyetuar nga Komiteti i Senatit për Forcat e Armatosura, se sa rebelë të stërvitur ishin ende në luftime, gjenerali Ostin tha se ishin 4 apo 5 persona.

Një prej senatorëve republikanë, Kelli Ajote tha se ky numër ishte një shaka e hidhur, ndërsa senatori Xhes Sesion shtoi se, plani për stërvitjen e rebelëve kishte dështuar plotësisht dhe ky ishte një fakt.

Gjenerali Austin tha se ishte e pamundur që të stërviteshin 5000 rebelë në vit, sipas planit fillestar, por kërkoi durim dhe tha se kjo ishte mënyra e vetme për të arritur rezultate.

Sipas Departamentit të Mbrojtjes, stërvitja e rebelëve është kaq e ngadaltë, për shkak të procesit të përzgjedhjes së tyre, pasi SHBA-të nuk dëshirojnë që të stërvistë terroristë të ardhshëm apo forcat e Presidentit Bashar al-Assad.

Top Channel