Protestë për bunkerin. Ish të përndjekurit reagojnë për projektin në Tiranë

17/09/2015 17:10

Përpara Ministrisë së Brendshme u krijua tension paradite kur një grup ish të përndjekurish të përkrahur nga Partia Demokratike tentuan të prishin rrethimin e një bunkeri në ndërtim.

Sipas qeverisë, bunkeri është një zgjedhje simbolike për hyrjen në strehimin antibërthamor pranë Ministrisë së Brendshme, që do të jetë e hapur për publikun dhe turistët. Por, për ish të përndjekurit bunkeri është vetëm një përpjekje e qeverisë për të rilindur simbolin famëkeq të izolimit në diktaturën komuniste.

Bunkeri është rrethuar brenda pak minutave nga forca të rendit dhe të policisë bashkiake, disa prej të cilëve për pak sa u përplasën edhe fizikisht me protestuesit që u përpoqën të shembin rrethimin e bunkerit.

Në protestë u dëgjuan kërkesa për dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, që u bë përgjegjës prej disa protestuesve përse lejon në Tiranë ndërtimin e simboleve komuniste, ndërsa në Pezë përfshiu në protokoll shtetëror një mini ekspozitë për diktatorin Enver Hoxha.

Top Channel