Pelegrinazhi i Haxhit, Arabia Saudite vazhdon përgatitjet

17/09/2015 17:20

Arabia Saudite po vazhdon përgatitjet për pelegrinazhin e sivjetshëm të Haxhit, pavarësisht rënies tragjike të një vinçi javën e shkuar mbi çatinë e Xhamisë së Madhe të Mekës, ku humbën jetën mbi 100 persona. Pelegrinët vazhdojnë të mbërrijnë në vend nga pjesë të ndryshme të botës.

I pyetur nëse janë të frikësuar nga aksidenti, një pelegrin pakistanez, Ali Mohamed, thotë “jo, aspak, njerëzit madje janë më entuziastë pas incidentit sepse bëhet fjalë për një fatkeqësi natyrore. Nuk kemi frikë”.

Mbi 1 milion pelegrinë ndodhen në Mekë dhe numri pritet të arrijë në 2.2 milionë deri fundjavën e ardhshme. Punimet e ndërtimit janë të dukshme në gjithë qytetin ndërkohë që qeveria saudite përpiqet të akomodojë numrin në rritje të vizitorëve.

Teknologjia po ashtu është përdorur gjerësisht këtë vit për një kontroll më të mirë të turmës. “Ne kemi aplikuar sistemin nafez. Ka kamera të vendosura në dy helikopterë që monitorojnë shërbimet. Ka trafik dhe pelegrinë ngado. Një tjetër sistem, ‘Najm’, po përdoret për të identifikuar ndonjë problem gjatë organizimit dhe monitorimit të pelegrinazhit”, thotë Osman Idriz, anëtar i bordit të Institutit të Organizimit të Haxhit.

Çdo vit, autoritetet punësojnë guida për të shoqëruar pelegrinët. Këtë vit, janë 12 mijë guida, ose 10 për qind më shumë. Po ashtu, siguria është shumë e lartë me 1300 policë të dislokuar përreth Xhamisë së Madhe.

Ndërkohë, për të evituar ndonjë problem shëndetësor dhe për të qenë të përgatitur për çdo incident, qeveria po ndërton edhe 9 spitale që i shtohen 20 ekzistuesve, në shërbim të pelegrinëve.

Top Channel