SHBA përshëndet raportin e OSBE-së: Reforma në drejtësi, urgjente

17/09/2015 18:20

Shtetet e Bashkuara mbështesin raportin e përvitshëm të Prezencës OSBE-së në Tiranë dhe gjetjet e shprehura në të mbi drejtësinë, reformat, zgjedhjet dhe dekriminalizimin.

Ambasadori amerikan në OSBE-, Daniel Baer deklaron se ashtu siç vërehet në raportin e OSBE-së, zgjedhjet e muajit qershor, në vlerësimin e përgjithshëm ishin pozitive, të paqta dhe votuesit shqiptarë patën mundësinë të shprehnin votën të lirë. Megjithatë, vijon përfaqësuesi amerikan, misioni i ODIHR-it gjeti disa parregullsi, si votimi në grup, presioni mbi votuesit, shit-blerja e votës dhe politizimi i institucioneve dhe medias.

“Shtetet e Bashkuara nënvizojnë se pavarësisht progresit të bërë me heqjen e disa individëve të lidhur me aktivitete kriminale nga listat e kandidatëve, disa vazhduan garën. Ne u bëjmë thirrje shqiptarëve që të këmbëngulin dhe të kërkojnë prej partive të tyre që t’u ofrojnë kandidatë me reputacion që do të mund ta çojnë përpara vendin”, thuhet në vlerësimin e ambasadorit amerikan në OSBE.

Përfaqësia amerikane në OSBE vlerëson gjithashtu se reformat sistematike kushtetuese dhe ligjore që do të parandalojnë kandidatët që janë subjektë kriminalë, ose të lidhur me krimin, janë e vetmja mënyrë për t’i mbajtur ata larg zgjedhjeve.

Në deklaratën mbështetëse për raportin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, përfaqësia e Uashingtonit në Vjenë inkurajon Qeverinë dhe Parlamentin në realizimin e reformës në drejtësi, që e konsiderojnë një pikë parësore dhe që duhet të jetë gjithpërfshirëse.

“Reforma duhet të realizohet në frymën e bashkëpunimit ndërpartiak dhe është me rëndësi që asnjë palë të mos bllokojë përparimin në këtë pikë. Mbështesim punën e OSBE-së për të inkurajuar shoqërinë civile që të jetë më aktive në reformën në drejtësi. Populli shqiptar ka pritur boll për një sistem drejtësie ku prokurorë dhe gjykatës punojnë për zbatimin e ligjit dhe mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre”, thuhet në deklaratë.

Për Uashingtonin reforma në drejtësi ka një rëndësi jetike për vendin dhe duhet të jetë prioritet mbi çdo prioritet.

“Shtetet e Bashkuara besojnë fort se përqendrimi i shqiptarëve dhe gjithë partive politike duhet të jetë tek reforma në drejtësi përpara çdo hapi tjetër”, shprehet ambasadori amerikan në OSBE.

Raporti, i cili nuk bëhet publik, u prezantua nga ambasadori Florian Raunig në Vjenë.

Top Channel