Tërmeti në Kili, nis gjetja e trupave të pajetë. 10 viktima

17/09/2015 18:15

Disa qytetarë janë nxjerrë nga rrënojat e një ndërtese të shkatërruar në zonën qendrore të Kilit, gjatë kësaj të enjteje, pasi një tërmet me magnitudë 8,3 goditi vendin dhe la të paktën 10 të vdekur, ashtu sikurse shkaktoi edhe dallgë gjigante që u përplasën me zonat bregdetare, duke detyruar zhvendosjen nga shtëpitë e tyre të mbi një milion banorëve.

Tronditjet “e dhunshme” që vijuan të trondisnin më tej vendin amerikano-jugor, gjatë mëngjesit të sotëm, bënë që shumë banorë vendas t’i frikësoheshin një tjetër tërmeti të madh, edhe pse qeveria hoqi gjendjen e alarmit për një cunami të mundshëm.

“Gjithçka është shkatërruar, këtu ndodhi një fatkeqësi dhe kemi humbje të mëdha. Shishet dhe xhamat, por edhe sende të tjera të kuzhinës dhe pasqyrat e tualeteve janë shkatërruar tërësisht”, tha një pronare restoranti në qytetin Illapel, pranë epiqendrës së tërmetit të mbrëmjes së të mërkurës.

Në qytetin bregdetar të Los Vilos, rezidentët u përpoqën të shpëtonin çfarë të mundeshin nga shtëpitë buzë detit që ishin shkatërruar tërësisht ose pjesërisht, kur dallgët e forta u përplasën me to.

Qeveria urdhëroi evakuimin e njerëzve nga zonat bregdetare pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin, në përpjekje për të shmangur fatkeqësinë tepër vdekjeprurëse që ndodhi në vitin 2010, kur autoritetet u treguan shumë të ngadalshme për të paralajmëruar ardhjen e një cunami dhe qindra vetë humbën jetën.

Top Channel