Të braktisur në spital…

17/09/2015 00:00

Vetëm gjatë këtij viti, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë braktisur 3 pacientë nga familjarët e tyre.

Ata janë dorëzuar në spital nga të afërm apo komshinj dhe më pas askush nuk është interesuar për ta.

Drejtoria e këtij spitali bën të ditur se, megjithë këmbënguljen dhe komunikimin me familjarët e tyre, askush nuk u interesua për ta, deri sa 3 pacientët ndërruan jetë dhe odisea e tyre për të gjetur një strehë përfundoi në morg.

Para dy muajsh, Ksenon Cuni, një zotëri i moshuar ndërroi jetë në Pavionin e Nefrologjisë në QSUT. Ai qëndronte aty prej muajsh, jo për shkak të nevojës për terapi intensive, por në mungesë të familjarëve, të cilët e braktisën atë te dera e spitalit.

Një tjetër rast i ngjashëm me Cunin, është ai i një endacaku të moshuar, i dorëzuar nga policia në Urgjencën e spitalit dimrin e shkuar. I moshuari qëndroi në këtë shërbim për gati dy muaj, derisa ndërroi jetë, ndërkohë që nuk u paraqit kurrë asnjë familjar i tij.

Pak muaj më parë, një 42-vjeçare nga qyteti i Durrësit u dorëzua në spitalin “Nënë Tereza” nga familjarët e saj në gjendje të rëndë. Për shkak të një ishemie cerebrale, ajo ishte paralizuar dhe pas terapisë në spital, autoritet kërkuan që ajo të kthehej në banesë, pasi qëndrimi në spital nuk ishte më i nevojshëm. Por, famijarët e saj refuzuan ta merrnin në dorëzim vajzën. Kështu që edhe ajo qëndroi nën strehën e spitalit, derisa ndërroi jetë.

Autoritetet e QSUT-së bëjnë të ditur se ka ndodhur disa herë, që spitali të shndërrohet në strehë për pacientët, jo vetëm për disa muaj, por edhe për vite. Strukturat shëndetësore janë përballur me raste të tilla, ku të paraqiturit për nevoja shëndetësore të kthehen në emergjenca humane. Të braktisur nga familjet e tyre, këta pacientë i mbesin spitalit, i cili është pa udhë për dorëzimin e të sëmurëve pas terapisë.

Top Channel