Fiks Fare, ja si riciklohen akulloret

17/09/2015 00:00

Emisioni Fiks Fare solli këtë të enjte fakte për mënyrën e prodhimit të akullores, një produkt aq delikat dhe i rrezikshëm për shëndetin e njeriut nëse nuk prodhohet dhe ruhet në kushtet e duhura.

Fiks Fare tregoi me pamje se tregtarët e akullores në Tiranë e riciklojnë akulloren e mbetur nga prodhimi i disa ditëve më parë, akullore e cila nuk duhet të konsumohet pasi është e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Fryrësit artificialë, qumështi pluhur dhe esencat janë baza e prodhimit të akullores për shumicën e tregtarëve sot.

Kamera e fshehtë e Fiksit ishte në disa pika të shitjes së akullores në kryeqytet dhe më poshtë po ju sjellim dialogun e zhvilluar me shitësit dhe tregtarët e këtij produkti.

Rruga e Kavajës

Fiksi: Akullorja sa reziston si ditë? Deri në sa ditë mund ta ruajmë?

Tregtarja: Po ajo në ngrirje është pastaj, s’e gjen gjë.

Komuna e Parisit

Fiksi: Si ja bën për pjesën që ngelet? Ku e ruan?

Shitësi: Pjesën që ngelet në fund, kur e përgatit atë (akulloren e re), kjo pjesa që ka ngel e fut brenda asaj të resë.

Fiksi: E kuptoj.

Selitë

Fiksi: Si ja bën, pjesa që ngelet e akullores të mos prishet?

Shitësi: Kam frigorifer tjetër.

Fiksi: Dhe e lë aty, domethënë nuk prishet?

Shitësi: Jo. Më shumë se 1 javë nuk rri dot.

Fiksi: Po përbërës, ça i hedh?

Shitësi: Xhelatinë. Mos e mbaj më shumë se një javë se ngurtësohet ajo.

Fiksi: Edhe për këtë që the ti, xhelatinën, kjo i shton peshën?

Shitësi: E mban më të freskët, duket si më natyrale.

21 Dhjetori

Fiksi: Si ja bën që të mos prishet? Pjesa që ngelet çfarë i bën?

Shitësi: E fus prapë kur bëj atë të renë. Është e njëjta gjë si esenca.

Fiksi: Aha, e bashkon me të renë?

Shitësi: Nuk prish punë. Akullorja nuk prishet edhe po të lësh një vit.

Shitësja: Nëse nuk na ikën (shitet), akullorja na e merr prap ai dhe e përpunon dhe na sjell të renë.

Bulevardi Zogu I

Shitësja: Çdo natë do ta heqës e do ta kalosh në ngrirje. Në mëngjes, kur të vesh në punë e heq atje dhe e kalon këtu (frigorifer ftohjeje)

Fiksi: Ka edhe përbërës që shtojnë peshë, domehthënë i jep volum akullores.

Shitësja: Në atë vend që je ti ke mundësi, por lidhu me ata (tregtarët).

Fiksi: Si quhet kjo?

Shitësja: Veleks.

Komuna e Parisit

Fiksi: Të ngelë një pjesë, nuk të shitet, ku e mban që të mos prishet?

Shitësja: Poshtë vasketave.

Rruga e Kavajës

Fiksi: Si ja bën që mos të prishet pjesa që nuk mund të shitet e gjitha, gjatë ditës?

Shitësja: Në frigorifer ngrirës, tjetër, në darkë e fut, në mëngjes e nxjerr.

Fiksi: Po deri në sa ditë mund të rezistojë kështu?

Shitësja: Një javë.

Rruga e Kavajës

Shitësi: Ke për cilësi të ulët, për cilësi të mesme, për cilësi më të lartë.

Shitësi: Di që unë e lë këtu edhe tre ditë, nuk ndryshon. As bie, as prishet, asgjë.

Fiksi: Po mirë, po për pjesën që të ngelet, (akullore) ça e bën?

Shitësi: E përpunon të nesërmen.

Laprakë

Shitësja: Akulloren mund ta ruash si puna e mishit, që e lë në ngririje, edhe një vit.

Fiksi: Edhe një vit?

Shitësja: Po.

Fiksi: Sinqerisht nuk prishet?

Shitësja: Si u prishka?

Medreseja

Fiksi: Sa ditë e mban? Deri në sa ditë përshembull, me përafërsi?

Shitësi: Deri tre muaj.

Fiksi: Tre muaj, ë?

Shitësi: S’ka problem.

Bashkëpunëtorët e Fiksit shkuan në vendin ku shiten përbërësit e akullores. Tregtarët treguan se në shumicën e rasteve prodhuesit e akullores zgjedhin qumështin pluhur për të prodhuar akulloren. Gjithashtu përdorën esenca të ndryshme për përgatitjen e saj. Një tjetër produkt që përdoret për të përfituar akulloren është lënda “zvelto” apo e quajtur ndryshe si “veleks”. Të dy këto përbërës bëjnë që të rrisin masën e akullores. Nuk është e përcaktuar nëse ky produkt është i dëmshëm apo jo për organizmin, por tregtarët tregojnë që ai duhet të përdoret me kujdes dhe në masa tërësisht të përcaktuara. 

Bulevardi “Gjergj Fishta”

Fiksi: Po fryrësja? (sa kushton)

Tregtari: Është “zvelto” ajo, s’është lidhës. Ajo e mban kështu si, “zveltoja” është 5 kilëshe kova, është 4200 lekë (të vjetra) kilja.

Tregtari: E mban më të… akulloren, edhe e rrit, e fryn domethënë, bën më shumë masë akulloreje, e bën më kshu… të shkëlqyeshme.

Tregtari: Katër deri në gjashtë gramë për litër.

Autostrada “Tiranë-Durrës”

Fiksi: Mua më intereson ky “veleksi”, ose “zveltoja”.

Tregtarja: Nga kjo do t’i hedhësh katër gramë.

Fiksi: Katër gramë, ky është edhe fryrës apo jo?

Tregtarja: Jo, është vetëm për ta lidhur akulloren.

Fiksi: Vetëm për ta lidhur, që e mban të…

Tregtarja: Pastaj ke dhe kështu, qumështin pluhur.

Fiksi: Sa akullore nxjerrë me qumësht pluhur?

Tregtarja: Ai, ky qumështi e ka raportin një me nëntë, një kile qumësht nëntë kile ujë.

Fiksi: Po kjo zvelkoja?

Tregtarja: Ajo e bën më si kremoze akulloren.

Fiksi: Po ajo që e rrit masën?

Tregtarja: Që e bën më të fryrë thua ti?

Fiksi: Po.

Tregtarja: Kjo e ndihmon.

Fiksi: Kjo? Që është si fryrës, si maja e birrës?

Tregtarja: Po, po, po.

Fiksi: Mua më hanë që ky është i mirë për të fituar?

Tregtarja: Po pra, fryrës, tamam.

Fiksi: E rrit masën?

Tregtarja: Po.

Fiksi: Po nuk është i mirë për organizmin, duhet t’i hedhësh me kujdes shumë.

Tregtarja: Ëëëë (pohon).

Fiksi: Edhe më thanë në qoftë se do të fitosh, ta kesh tamam, e bëjnë me këtë.

Tregtarja: Ëhë, jo e kanë marrë, të gjithë që e bëjnë akulloren, e kanë marrë.

Fiksi: E përdorin?

Tregtarja: Po, për këtë arsye. Që të gjithë, pa përjashtim. Ti mund ta bësh edhe me esencë, e me pak pluhur ose lëng, pluhuri është për t’i dhënë ngjyrë kurse lëngu është për t’i dhënë aromë, që ta nxjerrësh sa më të lirë. Po esencë merr pak ti, merr 100 gramë, merr 50 gramë.

Tregtari: Ça bën ajo? Ajo fryn akulloren, është e rrezikshme, të helmon dhe është shumë e keqe. Prandaj ne e kemi hequr fare.

Bazuar në nenin 23 të Ligjit për Ushqimin kuptojmë se prodhuesit dhe tregtarët janë përgjegjësit kryesorë për akulloren dhe ruajtjen e saj. Gjithashtu, ata duhet të analizojnë çdo produkt të ri të nxjerr në treg. A analizohet akullorja e re e cila hidhet në treg nga prodhuesit dhe shitësit më pas nga tregtarët?

“Myslym Shyri”

Fiksi: Analizat e akullores ku i bëni?

Pronarja: Analizat e akullores i bëjmë të AKU-ja.

Fiksi: Një herë në sa i bëni?

Pronarja: Unë i kam bërë një herë në gjashtë muaj për vete.

Fiksi: Vijnë i marrin mostrat këtu dhe i bëjnë, si i bëjnë?

Pronarja: Po i kam çu unë atje mi goce, kush të vjen t’i merr mostrat këtu. Ti çojë tasin (me akullore)

Fiksi: A duhet t’i çosh vetë?

Pronarja: Po, po, po çojë akulloren ti, edhe thuaji dua të bëj një analizë.

“Rruga e Kavajës”

Fiksi: Analizat ku i bën?

Shitësi: Po ku di unë ku i bëjmë.

Fiksi: S’i bën ti?

Shitësi: Jo.

Fiksi: Jo, ë?

Shitësi: Unë e marr analizën e gatshme.

“Rruga e Dibrës”

Fiksi: Analizat e akullores ku i bën?

Shitësja: Edhe unë ato desha të bëja, se s’i kemi bërë?

Fiksi: S’i keni bërë asnjëherë?

Shitësja: Që vjet.

“Rruga e Kavajës”

Fiksi: Analizat e akullores ku i bëni?

Shitësi: Te AKU-ja po dhe unë s’i kam bërë.

Fiksi: Te AKU-ja. Po, një herë në sa duhen bërë? Kur e ke bërë për herë të fundit?

Shitësi: Po unë… në fillim të sezonit.

Fiksi: E bëre në fillim të sezonit?

Shitësi: Jo me ça thua.

Rruga “Fortuzi”

Shitësja: I bëjnë në një vend, po duhet të gjesh ndonjë nga këta laborantët ushqimorë që kanë licencë e të japin licencë e jep kështu… . Se këto bëhen një herë në vit, nuk bëhen…

Fiksi: Një herë në vit bëhen?

Shitësja: (pohon me kokë)

Fiksi: Po një herë në sa i bëni? (analizat)

Shitësja: Nuk e di se ne, nuk është se e mbajmë gjatë gjithë kohës, për muajt e verës, s’besoj se do të bëhet më shpesh, se çdo tre muaj ajo.

Rruga “Mine Peza”

Fiksi: Analizat ku i bëni, di gjë?

Shitësi: Jo, s’e di.

Fiksi: S’keni bërë ndonjëherë?

Shitësi: (mohon).

Fiksi: Analizat e akullores ku i bëni, në ça vendi?

Shitësi: S’ia kam idenë.

Fiksi: Po i bëni?

Shitësi: Besoj se duhet t’i bëj, ma merr mendja.

Elvira Dibra, specialiste e ushqimit, AKU: Akullorja është një produkt delikat, akullorja është një produkt i cili fitohet nga qumështi, kremrat e qumështit, përbërës të tjerë yndyrash si veza, frutat. Pra, akullorja në të vërtetë, në tërësi përfitohet nga disa përbërës.

Fiksi: Sa kohë mund të qëndroj akullorja, qoftë edhe duke qëndruar në frigorifer ngrirës, qoftë në ftohës të thjeshtë?

Elvira Dibra: Nëse flasim për një akullore të cilën prodhohet në ëmbëltorët tona, në njësitë tona të tregtimit të akullores, e ka vendosur vetë. Ai mund të bëjë një prodhim të cilin ai e ka prodhim ditorë, të cilën ai e ruan në një temperaturë të përshtatshme. Masa homogjene nuk duhet të ketë kristale akulli. Gjatë inspektimeve që ne kemi kryer ne asnjëherë nuk kemi konstatuar që një akullore ka disa ditë, por nëse do të konstatohet një gjë e tillë , do të merren masa në bazë të legjislacionit. Gjëja që të bie në sy kur një akullore ka kaluar kushtin e ruajtjes është ngrirë apo është shkrirë, atëherë kjo do të humbasë formën, ose mund të krijohen bulëza kristale të akullit dhe në këto raste AKU-ja merr masa për sekuestrimin e mallit dhe asgjësimin.

Fiksi: Tregtarët na kanë treguar se akulloren e cila mbetet nga 2-3 ditë më përpara e bashkojnë me akulloren e re. A lejohet kjo gjë?

Elvira Dibra: Gjatë inspektimeve që ka bërë AKU-ja nuk ka konstatuar në asnjë rast që është bërë një gjë e tillë, nuk ma do mendja se vetë për interesin e tij ai nuk e bën një gjë të tillë…

Fiksi: Cili është interesi tij në këtë rast, ai do të shesë?

Elvira Dibra: Ai do humbasë klientelën.

Fiksi: A lejohet bashkimi i akullores?

Elvira Dibra: Nuk mund të lejohet dhe ne marrim masa për këto subjekte nëse ato do të bëjnë një gjë të tillë.  Një akullore që ka mbetur prej 2-3 ditësh të bashkohet me akulloren e re. Ne i bëjmë thirrje konsumatorit të blejë akullore vetëm në subjektet të cilat i plotësojnë kushtet dhe standardet.

Top Channel