Pas Schmidt, Merkel rrezikon të humbasë edhe aleatin De Maiziere

17/09/2015 19:35

Pak vite më parë, Thomas de Maiziere shihej si kandidati kryesor për të pasuar Angela Merkelin në një të ardhme “të papërcaktuar”. E nëse atij i mungonte disi karizma, këtë e kompensonte me kompetencat dhe besueshmërinë, të njëjtat tipare që kishin katapultuar shefen e tij në Kancelarinë gjermane.

Tashmë ministri i Brendshëm 61-vjeçar, një protestant i ashpër që fitoi pseudonimin “shpërdorues letrash” për shkak të dokumenteve të pamasa të hartuara gjatë periudhës si ministër i Mbrojtjes, duket se i është dëmtuar imazhi, për shkak të akuzave se nuk rakordoi në kohë përgjigjen e Berlinit ndaj krizës së refugjatëve.

Dorëheqja e parevokueshme gjatë së enjtes e Manfred Schmidt, kreut të agjencisë gjermane për Refugjatët (BAMF), duket se nuk do t’i heshtë kritikët, mes të cilëve edhe kreu i aleatëve bavarezë të Merkelit, Unionit Kristian-Social (CSU), i cili ka thënë ndër të tjera se De Maiziere ka marrë shumë kohë për të njohur thellësinë e problemit të azilantëve dhe reagoi në mënyrë shumë pasive kur kriza “trokiti” në derë.

Politikanët në Berlin, shumë prej të cilëve janë duke ngritur dyshime nëse De Maiziere – i lindur në Bon, dhe e njeh Kancelaren prej 25 vitesh, madje duke shërbyer edhe si shef i stafit të saj, – mund të jetë “kurbani” i radhës mes një vargu të gjatë aleatësh besnikë të Merkelit, që kanë rënë njëri pas tjetrit që kur ajo erdhi në pushtet në vitin 2005.

Kjo gjë do të ishte një goditje e madhe për vetë Merkelin, e cila një javë më parë po festonte për hapjen e dyerve ndaj refugjatëve, të cilët u largoheshin konflikteve në Lindjen e Mesme, por që tashmë po kritikohet nga mediat për inkurajim të pavullnetshëm të azilkërkuesve që synojnë të shkojnë vetëm në Gjermani.

Gjithsesi, ajo ia la në dorë De Maizierit, i cili të dielën e kaluar njoftoi se qeveria do të korrigjonte kursin e ndjekur prej saj deri më tani, duke shpallur rikthimin e kontrolleve kufitare në mënyrë që të frenonin fluksin e refugjatëve.

Top Channel