Lushnje, makina del nga rruga, 4 të plagosur

17/09/2015 20:50

Katër pjesëtarë të një familjeje nga Berati janë aksidentuar rëndë pasditen e kësaj të enjteje në segmentin rrugor Pluk-Saver.

Të plagosurit janë bashkëshortët Paqësor dhe Dashuri Cani, 61 dhe 59 vjeç; djali i tyre Xhevair Cani, 28 vjeç; dhe bashkëshortja italiane e 28-vjeçarit, Emarta Periglini.

Të 4 familjarët po ktheheshin nga Tirana për në Berat në momentin e aksidentit. Sipas policisë, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë dalja nga rruga e mjetit, si pasojë e shpejtësisë. Automjeti tip “Opel Corsa” është përplasur me një shtyllë elektrike buzë rrugës.

Kanë qenë banorët e zonës, që njoftuan ambulancën për të plagosurit, të cilët u transportuan me urgjencë. Sipas mjekëve, drejtuesi i mjetit, 28-vjeçari Xhevair Cani është rëndë dhe është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për mjekim më të specializuar.

Tre personat e tjerë të aksidentit po marrin mjekim në Spitalin e Lushnjes. Ky është aksidenti i dytë në rrugët kryesore të Lushnjes, pas atij të shënuar mëngjesin e sotëm, rreth orës 7, me pasojë vdekjeje.

Autostrada Lushnje-Fier është kthyer në një ndër akset me numrin më të madh të aksidenteve rrugore në vend, për shkak të mungesës së patrullave policore në rrugë.

Top Channel