Siria nis përdorimin e arsenalit të armëve ruse

17/09/2015 20:55

Ushtria siriane ka nisur menjëherë nga përdorimi i armëve të reja kundërajrore dhe tokësore, me të cilat është furnizuar nga Rusia, ka bërë të ditur këtë të enjte një zyrtar i ushtrisë për “Reuters”, duke nënvizuar më tej mbështetjen në rritje të Moskës ndaj Damaskut, gjë që po alarmon nga krahu tjetër Shtetet e Bashkuara.

“Armët janë të efektivitetit dhe saktësisë së lartë, duke shënjestruar me një precizion tepër të mirë objektivat”, tha burimi në përgjigje të një pyetjeje të bërë në lidhje me mbështetjen ruse. “Mund të themi se kemi nga të gjitha llojet e armëve, qoftë për ofensiva dhe mbrojtje nga ajri, ashtu dhe nga toka”.

Zyrtari i ushtrisë siriane deklaroi më pas se ushtarakët janë trajnuar mbi përdorimin e këtyre armatimeve gjatë muajve të fundit dhe tashmë thjesht sa po i dislokojnë ato për t’i shfrytëzuar në terren, por ka refuzuar të japë të tjera detaje përveç se ka konfirmuar se janë “tipe të reja”.

Qeveria ruse ka bërë të ditur gjatë së enjtes se mbështetja ushtarake ndaj Damaskut synon të forcojë luftën kundër terrorizmit, në ruajtje të shtetësisë së Sirisë dhe në parandalimin e një “katastrofe totale” në rajon. Këtu përfshihet edhe një prani e madhe ushtarake ruse brenda kufijve të Sirisë, ku Presidenti Bashar al-Assad është përballur me një presion gjithnjë e në rritje këtë vit prej rebelëve, që synojnë ta rrëzojnë atë nga pushteti. E megjithatë, synimet e qarta dhe shtrirja e plotë e këtyre veprimeve ende mbetet një mister.

Uashingtoni, që kërkon largimin e Assadit nga pushteti, ka bërë të ditur se – sipas besimit të tyre, – Rusia po ndërmerr një hap të rrezikshëm ushtarak, pasi me praninë e saj mund të përkeqësojë dhe përshkallëzojë luftën civile në Siri. Shtetet e Bashkuara, së bashku me Arabinë Saudite dhe Turqinë kanë mbështetur nga ana e tyre kryengritësit, të cilët kanë luftuar gjatë këtyre viteve për të rrëzuar Assadin, por ky i fundit qëndron edhe i palëkundur edhe për shkak të mbështetjes së huaj të marrë nga Irani dhe Hezbollahu libanez.

Top Channel