Pezullohet sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke

18/09/2015 08:40

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, është pezulluar përkohësisht nga detyrat e tij. Me anë të një njoftimi për shtyp, FIFA bëri me dije se pezullimi ka ardhur pasi u vu në dijeni për përfshirjen e Valckes në rishitje biletash të Botërorit të futbollit në tregun e zi.

54-vjeçari francez, i cili mban rolin e Sekretarit të Përgjitshëm të FIFA-s që nga viti 2007, i ka mohuar këto akuza.

Valcke shihej si pasuesi i Sepp Blatter në krye të FIFA-s muajin e kaluar, por tani do të përballet me hetimin e Komisionit të Etikës të organizmit drejtues të futbollit botëror.

Ndërkohë, të enjten Zvicra ka bërë të ditur miratimin e kërkesës për ekstradimin e një zyrtari të lartë të futbollit uruguajan, i cili akuzohet se ka marrë ryshfet.

Eugenio Figueredo është mes 7 zyrtarëve të FIFA-s, trupës më të lartë qeverisëse të futbollit botëror, i cili u arrestua në Zyrih më 27 maj të këtij viti. Ai akuzohet se ka marrë ryshfet shuma prej miliona dollarësh, në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me turnetë e Kupës së Amerikës, bëri të ditur zyra e Drejtësisë Federale të Zvicrës.

Top Channel