“Fillim Vjeshte” në Vlorë, sekuestrohen 65 kg hashash. Në pranga 2 persona

18/09/2015 09:15

Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Fillim Vjeshte”, duke sekuestruar 65 kilogramë hashash e duke kapur në flagrancë 2 persona.

Ata janë Redian Qekaj, 30 vjeç, banues në Durrës, dhe Olgert Qekaj, 26 vjeç, banues në fshatin Dushkarak të Vlorës.

Seksioni kundër narkotikëve, gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e shtetasve të mësipërm, kushurinj me njëri-tjetrin, ka konstatuar një sasi lënde narkotike prej 65 kg kanabis, e cila ishte e vendosur dhe e ndarë në 13 thasë. Gjithashtu, një pjesë e lëndës narkotike u konstatua në një stan brenda fshatit Dushkarak, i cili është në pronësi të shtetasve të mësipërm.

Policia ka bërë të mundur sekuestrimin e një automjeti tip “Fuoristradë” me targë VL3573C, i cili ishte gati për të transportuar drogën në momentin e kapjes.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjithashtu edhe 3 aparatë celularë.

Top Channel