Pakistan, sulmohet baza ajrore, vriten 13 militantë

18/09/2015 09:40

Të paktën 13 militantë u vranë në një sulm kundër një baze ajrore pakistaneze në Peshavar. Personat e armatosur sulmuan një postbllok dhe më pas hynë në bazën ajrore të Badaber.

Gjeneral-Major Asim Baxhua tha se forcat e sigurisë kishin reaguar menjëherë duke i rrethuar agresorët. Një përleshje e armatosur u zhvillua në zonë dhe përpos viktimave pati edhe 20 të plagosur, përfshirë 10 ushtarë.

Një zyrtar ushtarak tha për agjencinë e lajmeve Reuters se militantët ishin të armatosur me eksplozivë, granata, mortaja dhe automatikë.
 
Përmes një mesazhi elektronik për gazetarët, talebanët në Pakistan pranuan autorësinë e ngjarjes. Kryeministri pakistanez dënoi ashpër sulmin dhe tha se terroristët do të shfaroseshin nga vendi.

Peshavari është vënë shpesh në shënjestër të militantëve. Dhjetorin e kaluar më shumë se 150 studentë dhe mësues u vranë kur talebanë të armatosur sulmuan një shkollë ushtarake në qytet.

Top Channel