Has, 22 vjet pa shtëpi. Banorët e një pallati në rrezik

18/09/2015 11:20

Pas djegies së shtëpisë, familja Sinani nga Fajza i rrethit të Hasit, është duke kërkuar një shtëpi të re. Halili, që ka mbi supe familjen dhe dy motra autike, tregon kalvarin e vuajtjeve të familjes së tij 6-anëtarëshe, që filluan pas vitit 1993, kohë kur u dogj shtëpia, ndërkohë që kërkon ndihmë nga shteti.

“I bëj apel kryeministrit Edi Rama dhe Prefekturës së Kukësit, pasi kemi që në vitin 1993 rrugëve”, thotë Halili.

Ndërkohë, në Krumë banorët e një pallati të një prej lagjeve të qytetit kanë një shqetësim tjetër. Ata kanë shtëpi, por kanë problem gjendjen e pallatit ku jetojnë. Sipas banorëve, ata dhe fëmijët e tyre çdo ditë janë të rrezikuar nga rënia e tullave të pallatit, i ndërtuar para viteve ‘90.

“Kemi 2-3 vjet me këtë problem, por askush nuk ka ardhur për të na e zgjidhur”, thonë banorët.

Banorët shpresojnë që ky shqetësim të gjejë zgjidhje, pasi për këtë problem ata kanë bërë kërkesë edhe në institucionin e Bashkisë Krumë.

Top Channel